Pas Fatmir Xhafajt, edhe deputeti socialist Erion Braçe mësohet të ketë kundërshtuar propozimin e kryeministrit Edi Rama për përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga Partia Socialiste.
Gazetari Ergys Gjençaj raporton për BalkanWeb se gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të Asamblesë Kombëtare të PS-së, Braçe ka shprehur qëndrimin e tij kundër propozimit të kryesocialistit, duke vënë në diskutim mënyrën se si po trajtohet çështja e dy anëtarëve të partisë.
Sipas raportimit, Braçe mësohet të jetë shprehur se “PS nuk është parti që përjashton anëtarët e saj”, duke kundërshtuar kështu kërkesën e Ramës për largimin e Spiropalit dhe Ndrecës.
Qëndrimi i Braçes vjen pas atij të Fatmir Xhafajt, i cili gjithashtu ka pasur rezerva ndaj propozimit të kryeministrit gjatë diskutimeve në Asamble.
Ndërkohë, siç është bërë e ditur më herët, propozimet për përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nuk janë hedhur në votim nga Asambleja. Kështu, të dy vijojnë të jenë pjesë e Partisë Socialiste. Kundërshtimet e raportuara nga Xhafaj dhe Braçe vijnë në një mbledhje ku Rama kërkoi masa ndaj dy figurave socialiste, por propozimet e tij nuk morën formën e një vendimi përfundimtar.
