Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka reaguar pas caktimit të tij nga kryeministri Edi Rama si drejtues politik i Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës, ku do të bashkëpunojë me Albana Koçiun.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Demo ka falënderuar Ramën dhe Partinë Socialiste për besimin e dhënë, duke u shprehur se do ta vijojë këtë angazhim me të njëjtin përkushtim si në drejtimin politik të qarkut të Beratit.

Demo bën me dije se së bashku me Koçiun dhe strukturat e PS-së do të jenë pranë qytetarëve në çdo lagje të kryeqytetit, me synimin për të dëgjuar dhe adresuar problematikat e tyre. Ministri thekson gjithashtu rëndësinë e dëgjimit të kritikave, edhe kur ato janë të forta, duke i cilësuar si pjesë të procesit të përmirësimit të mëtejshëm.

Reagimi i ministrit të Brendshëm, Ervin Demo:

Faleminderit kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe anëtarëve të Asamblesë Kombëtare për besimin që na dhanë sot mua dhe Albana Koçiut për të drejtuar së bashku Partinë Socialiste në Bashkinë e Tiranës.

Mirënjohje për çdo socialist e socialiste për punën dhe përkushtimin e tyre ndër vite.
Së bashku me Albanën, me skuadrën e deputetëve të Bashkisë së Tiranës dhe me të gjitha strukturat tona, do të angazhohemi për organizimin dhe forcimin e Partisë Socialiste në çdo lagje, njësi administrative e fshat të Tiranës.
Një organizim që mbështetet te puna në ekip, përgjegjësia individuale, komunikimi i vazhdueshëm me qytetarët dhe ndjekja konkrete e problemeve të tyre.
Qytetarët e Tiranës kanë të drejtë të kërkojnë më shumë prej nesh: shërbime publike më të mira, shkolla të sigurta për fëmijët, institucione që përgjigjen dhe zgjidhje për shqetësimet e përditshme.
Për mua, këtu matet edhe puna politike: sa pranë njerëzve jemi, sa i njohim problemet e tyre dhe sa këmbëngulim për t’i zgjidhur.
Duhet të dëgjojmë edhe kur kritika është e fortë, të pranojmë atë që nuk funksionon dhe të punojmë për ta përmirësuar.
Së bashku me deputetët, drejtuesit e strukturave dhe çdo anëtar të Partisë Socialiste, do të ndërtojmë një mënyrë pune ku secili ka përgjegjësi të qarta, ku prania në terren është e përditshme dhe ku çdo shqetësim i qytetarëve ndiqet deri në zgjidhje.
Përgjegjësia jonë është ndaj të gjithë qytetarëve të Tiranës, pavarësisht bindjeve të tyre politike.
Besimin që morëm sot do ta kthejmë në organizim, punë konkrete dhe rezultate për Tiranën!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: