Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se Rusia po siguron dhjetëra raketa balistike çdo muaj nga Koreja e Veriut, duke u bërë thirrje vendeve evropiane të shtojnë mbështetjen ushtarake për Ukrainën.
“Fatkeqësisht, Rusia po merr më shumë raketa balistike nga Koreja e Veriut. Bëhet fjalë për dhjetëra raketa çdo muaj”, u shpreh Zelensky. Ai theksoi se vendet evropiane disponojnë raketa të afta për të kryer sulme efektive dhe kërkoi që ato të vihen në dispozicion të Ukrainës për t’u përballur me sulmet ruse.
Duke iu referuar të dhënave të inteligjencës, presidenti ukrainas paralajmëroi gjithashtu për një valë të mundshme sulmesh ruse në orët në vijim. Në një mesazh me video, ai u bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë alarmet ajrore gjatë natës dhe përgjatë ditës së nesërme.
Zelensky foli edhe për zhvillimet diplomatike dhe kontaktet e fundit me përfaqësuesit amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, si dhe me zyrtarë evropianë. Bisedimet janë pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për të gjetur një rrugë drejt përfundimit të luftës në Ukrainë.
