Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Thissios në Athinë, ku një grua 61-vjeçare ka humbur jetën pasi është dhunuar për vdekje nga bashkëshorti i saj 63-vjeçar.
Policia greke po heton rrethanat e krimit, ndërsa sipas informacioneve të mediave lokale, 63-vjeçari deri më tani ka refuzuar të japë shpjegime dhe nuk u është përgjigjur pyetjeve të oficerëve lidhur me ngjarjen.
Tragjedia ndodhi brenda banesës së çiftit, në rrugën Aethras, në zonën e Thissios. Gruaja u gjet e pajetë pak pas orës 02:00 të mëngjesit të së enjtes, më 19 nëntor, pasi vetë bashkëshorti telefonoi autoritetet.
“Ejani, e godita gruan time”, mësohet të ketë thënë 63-vjeçari gjatë telefonatës në polici.
Pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët konstatuan vdekjen e 61-vjeçares dhe arrestuan bashkëshortin e saj.
Ndërkohë, sipas raportimeve të mediave greke, gruaja kishte pasur probleme të shëndetit mendor dhe kishte marrë trajtim edhe më parë. Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë.
