Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, ka kritikuar ecurinë e Reformës Zgjedhore, duke deklaruar se nuk është bërë asnjë progres dhe se sinjalet janë negative. Sipas tij, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike po synojnë të ruajnë monopolin e numërimit të votave, duke lënë jashtë një procesi të tillë partitë e tjera.
Në një deklaratë për mediat, Shehi u ndal te votimi dhe numërimi elektronik, duke theksuar se ky proces pritet të kryhet vetëm në 85 qendra votimi, me argumentin se sistemi POD nuk pranohet. Ai tha se, në praktikë, më 9 maj numërimi elektronik do të zbatohet vetëm në një bashki, pavarësisht miliona eurove të shpenzuara. Sipas Shehit, kjo përbën regres dhe lë sërish në duart e komisionerëve të PS-së dhe PD-së numërimin e votave, përfshirë edhe ato të partive të tjera.
Ai paralajmëroi se mbajtja e zgjedhjeve me një raund do të ishte shkatërruese për opozitën, ndërsa kërkoi që procesi i reformës të jetë gjithëpërfshirës dhe të mos përsëriten kompromiset mes dy partive të mëdha. Shehi komentoi edhe thirrjen e kreut të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Taran, për përshpejtimin e punës dhe arritjen e një marrëveshjeje përpara 9 majit, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së të gjithë aktorëve politikë.
Kreu i LZHK-së kërkoi angazhimin e organizatave ndërkombëtare dhe ndërhyrjen e një arbitri ndërkombëtar në procesin e negociatave. Sipas tij, në bisedime duhet të përfshihet edhe një përfaqësues nga sheshi i protestës.
Në përfundim, Shehi kërkoi që Shqipëria të jetë një zonë e vetme zgjedhore, me lista të hapura dhe sistem votimi me dy raunde, me qëllim garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“PS dhe PD po bëjnë atë që kanë bërë gjithmonë, sipas interesave të tyre. Kjo nuk është më reformë në këtë moment, është marrëveshje”, u shpreh Shehi.
Dashamir Shehi: Votimi dhe numërimi elektronik do të kryhet në pak qendra votimi me justifikimin se nuk pranon PD. Pra praktikisht më 9 maj do të bëhet numërimi elektronik në vetëm një bashki, përtej milionave që janë harxhuar. Kemi regres sa i përket kësaj çështje.
Ta shpjegojmë thjeshtë, i bie që monopolin sërish do ta kenë komisionerët e PS dhe PD. Sheshi dhe partive të tjera votat do t’ua numërojë PD dhe PS. Sinjali është që këta po mundohen të ruajnë monopolin në këtë çështje. Opozita e ka më të thjeshtë të gjejë 10 inxhinierë të vëzhgojë sistemin sesa ë gjejë 10 mijë numërues që historia ka treguar që janë objekt abuzimi.
Do të jetë shkatërruese për opozitën nëse zgjedhjet do të bëhen me vetëm një raund.
Kreu i prezencës së OSBE në Tiranë, Tarran, kërkoi përshpejtimin e punës sepse duhet marrëveshje para 9 majit. Theksoi nevojën për një proces gjithëpërfshirës.
Ne gjykojmë që në asnjë vend të botës nuk ndodh që 2 partitë kryesore të numërojnë votat edhe të partive të tjera.
LZHK vlerëson që duhet të bëhet presion që të mos ketë kompromise PS -PD si ai i i një viti e gjysmë më parë. Duhen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ftojmë organizatat ndërkombëtare të angazhohen për këtë punë. Duhet ndërhyrja e një arbitri ndërkombëtar. Në bisedime duhet edhe përfaqësues nga sheshi i i protestës. Shqipëria të jenë një zonë elektorale, lista të hapura, që të kemi zgjedhje të lira e të ndershme. PS dhe PD po bëjnë atë që kanë bërë gjithmonë, sipas interesave të tyre, nuk është më reformë në këtë moment, është marrëveshje”, tha ai.
