Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i është drejtuar zyrtarisht Komisionit të Venecias për të kërkuar ekspertizë ligjore mbi Ligjin për Financimin e Partive Politike.
Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetari Ergys Gjençaj.

Kjo kërkesë vjen pas dakordësisë së arritur në Komisionin e Reformës Zgjedhore, ku palët ranë dakord që çështja e financimit të partive politike t’i nënshtrohet një ekspertize nga Komisioni i Venecias.

Kreu i Kuvendi në letër ka ftuar për një vizitë pune në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, ekspertët e Venecias, për të diskutuar specifikisht mbi ecurinë e projekt ligjit për financimin e partive politike dhe reflektimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Kujtojmë se Partia Demokratike ka paraqitur tashmë propozimet e saj, duke kërkuar që Shqipëria të kthehet në një zonë të vetme zgjedhore, me sistem proporcional kombëtar dhe lista 100% të hapura. Demokratët kërkojnë gjithashtu lista të hapura për këshilltarët bashkiakë, barazi mes mazhorancës dhe opozitës në vendimmarrjen e KQZ-së, rishikimin e votës së diasporës dhe vendosjen e një pragu zgjedhor që nuk penalizon partitë e vogla. PD propozon edhe balotazh zgjedhor në kushtet e një qeverie teknike, ndërsa kundërshton votimin dhe numërimin elektronik.

Një tjetër kërkesë lidhet me ndalimin e përdorimit të burimeve shtetërore në zgjedhje. Opozita propozon gjoba, ndëshkime penale dhe deri në heqjen e mandatit për kandidatët që përfitojnë prej tyre, si dhe shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve kur këto shkelje ndikojnë në rezultat. Komisioni, i ngritur në nëntor të vitit 2025, ka mandat deri në fund të këtij muaji. Diskutimet zhvillohen ndërsa afrojnë zgjedhjet vendore të 9 majit 2027 dhe mbeten për t’u trajtuar disa prej çështjeve kryesore të reformës.

Nga ana e saj, Partia Socialiste prioritet të saj në ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ka vendosur ndryshimet emergjente ligjore, që duhet miratuar si pasojë e refromës territorial, konkretisht formulës për anëtarët e këshillave bashkiakë. Kërkesës së demokratëve për rishikim të sistemit elektoral, për të kaluar në një sistem proporcional kombëtar, socialistët u janë përgjigjur se mbeten të hapur për ta diskutuar. Por si kundërofertë, ata janë shprehur se propozimi i tyre është reduktimi i numriti të deputetëve në 101. Por socialistët theksojnë se për ndryshimin e sistemit elektoral nevojitet diskutim më i madh, pasi ka bëjë me ndryshime në Kushtetutën e vendit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb