Një operacion antidrogë i koduar “Risia” është finalizuar nga Policia e Tiranës, duke çuar në sekuestrimin e 12.1 kilogramëve lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa në trajtë xhelatinoze, e cila dyshohet se ishte përgatitur për t’u shitur në Shqipëri.

Në kuadër të operacionit është shpallur në kërkim një 22-vjeçar Flavio Ismalaj, ndërsa është arrestuar bashkëpunëtori i tij, 22-vjeçari Mariglen Vata, të dy banues në Paskuqan.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 19 nëntorit 2026, në autostradën Tiranë-Elbasan. Sipas Policisë, shërbimet i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit që drejtohej nga Flavio Ismalaj, por ky i fundit nuk i është bindur urdhrit, ka vijuar lëvizjen me shpejtësi, ka braktisur automjetin në autostradë dhe është larguar në këmbë.

Gjatë ndjekjes, policia ka konstatuar se lëvizjet e automjetit që transportonte lëndën narkotike monitoroheshin nga një automjet tjetër, me drejtues Mariglen Vata. Ky i fundit është kapur nga shërbimet e Policisë dhe është arrestuar.

Gjatë kontrollit në automjetin e braktisur nga 22-vjeçari në kërkim, u gjetën 12.1 kilogramë Cannabis Sativa në trajtë xhelatinoze. Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit Vata, policia zbuloi edhe një sasi të dyshuar kokaine.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, dy automjetet e përdorura dhe tre telefona celularë.

Policia vijon punën për kapjen e 22-vjeçarit Flavio Ismalaj, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme. Hetimet po zhvillohen nën drejtimin e Prokurorisë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar organit të akuzës për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: