Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi në emisionin Prime News24 se dosja hetimore ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku çon drejtpërdrejt te kryeministri Edi Rama. Gjatë deklaratave të tij, Bardhi ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si po hetohet Balluku, duke kërkuar kontrollin e banesës dhe të telefonit të saj. Ai argumentoi se politikanë që ndodhen aktualisht në burg përballen me më pak akuza sesa ish-zv.kryeministrja.
“Politikanët që janë në burg sot kanë më pak akuza sesa Belinda Balluku. Duhet të bëhet kontroll banese tek Balluku. Kur Balluku ka tufa me para në jug, imagjinoni sa para ka në shtëpinë e vet në Tiranë. Kur ia kanë kontrolluar celularin bashkëpunëtorëve të saj, si Ervis Berberit, pse nuk ia kontrollojnë celularin Ballukut?”, u shpreh Bardhi.
Më tej, kreu i grupit parlamentar të PD-së theksoi se, sipas tij, përgjegjësia për tenderat e paracaktuar nuk ndalet te Belinda Balluku, por shkon deri te kryeministri Edi Rama.
“Dosja e Ballukut të çon te Rama. Siç Balluku urdhëronte Ervis Berberin për të paracaktuar tenderat, Belindën e urdhëronte Edi Rama”, deklaroi Bardhi.
Ai përmendi dy elemente që, sipas tij, e lidhin kryeministrin me çështjen. I pari lidhet me kallëzimin e bërë nga opozita për takimin me kompanitë turke, i cili, sipas Bardhit, është zhvilluar disa ditë përpara hapjes zyrtare të tenderit.
“Në takimin me kompanitë turke, që ka ndodhur disa ditë përpara se të hapej zyrtarisht tenderi, ka qenë në tryezë kur është përcaktuar kompania fituese, në krye të tavolinës Edi Rama. Ne kemi dërguar provat në SPAK”, u shpreh ai.
Si element të dytë, Bardhi përmendi përgjimet mes Belinda Ballukut dhe Ervis Berberit, duke pretenduar se në to flitet për një kërkesë të kryeministrit për të takuar një biznesmen me qëllim dhënien e një tenderi.
“Ka përgjime mes Ballukut dhe Ervis Berberit, që thonë se kryeministri na ka kërkuar të takojmë një biznesmen për t’i dhënë një tender. Belinda e pyet: Sa është tenderi i Porto Romanos? 15 milionë. Epo, ato i japim që t’i mbyllim gojën”, përmend Bardhi bisedën.
Ai thekson se këto elemente tregojnë se Rama ishte urdhëruesi për përcaktimin e fituesit të tenderit, ndërsa Balluku, sipas tij, kishte rolin e ekzekutueses.
