Një punëtor pastrimi 30-vjeçar në Spanjë ka marrë një ofertë të papritur për punë të përhershme, pasi vendosi të dorëzonte në polici një zarf me më shumë se 12 mijë euro që kishte gjetur në një kosh plehrash.
Jairo Aretha Leal punonte në shërbimin e pastrimit në Algarrobo, në provincën e Malagës, kur zbuloi zarfin me paratë gjatë punës. Në atë periudhë, ai po përballej me vështirësi financiare, ndërsa kontrata e tij e punës pritej të përfundonte më 30 dhjetor. 30-vjeçari pranoi se fillimisht kishte menduar t’i mbante paratë, pasi ato mund ta ndihmonin të shlyente borxhet për makinën dhe shtëpinë.
“Janë shumë para. Mbeta i shtangur. Nuk jam i pasur, aspak. Mund të më shpëtonin nga borxhet për makinën, shtëpinë dhe një mijë e dy gjëra të tjera”, tregoi ai. Pas një nate të tërë duke menduar se çfarë duhej të bënte, Jairo vendosi të kontaktonte këshilltarin e qytetit, Francisco Marin, dhe t’ia dorëzonte shumën policisë lokale.
“Sa vlen një ndërgjegje e pastër?”, ishte pyetja që, sipas tij, ndikoi në vendimin për të mos i mbajtur paratë. Por gjesti i tij i ndershëm pati një shpërblim të papritur. Kompania FCC, ku ai ishte i punësuar me kontratë të përkohshme për shërbimet e pastrimit, e kontaktoi për t’i ofruar një vend pune të përhershëm. “Ata bënë këtë gjest të bukur për shkak të ndershmërisë që tregova. Kontaktuan mbikëqyrësin tim dhe ai më tha se, për shkak të këtij veprimi, do të më mbanin përgjithmonë”, rrëfeu 30-vjeçari.
Ndërkohë, paratë u janë kthyer pronarëve të ligjshëm. Jairo jo vetëm që fitoi qetësinë e ndërgjegjes, por edhe sigurinë e një vendi të qëndrueshëm pune, në një kohë kur kishte më shumë nevojë për të. Një histori që dëshmon se ndershmëria mund të shpërblehet në mënyra të papritura.
