Momente dramatike janë regjistruar pas ndeshjes së Boca Juniors, ku protagonist ishte mesfushori Leandro Paredes. Futbollisti 32-vjeçar ka humbur ndjenjat për disa çaste teksa po intervistohej nga një televizion, duke shkaktuar shqetësim te të pranishmit.

Shkak për këtë episod dyshohet të kenë qenë temperaturat e larta dhe lagështia e madhe në Barranquilla të Kolumbisë. Kushtet atmosferike ishin tepër të vështira, me 32 gradë Celsius dhe lagështi që arrinte në 80 për qind.

Paredes, i cili ishte zëvendësuar gjatë pjesës së dytë, u rrëzua papritur para kamerave. Gazetari që po zhvillonte intervistën tentoi ta mbante për të shmangur një rënie më të rëndë.

Pas ndërhyrjes së stafit mjekësor, gjendja e tij u përmirësua dhe mesfushori arriti të largohej në këmbë drejt dhomave të zhveshjes, ku iu bashkua më pas festës së ekipit.

Për të qetësuar tifozët, vetë Paredes reagoi në rrjetet sociale: “Faleminderit të gjithëve për mesazhet. Ishte thjesht një marramendje”.

Edhe trajneri Rodolfo Arruabarrena bëri të ditur se kishte vënë re shqetësimet e lojtarit që në fund të pjesës së parë.

Për fat të mirë, episodi nuk duket të ketë pasur pasoja serioze, ndërsa Paredes arriti të rikthehej pranë shokëve të skuadrës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb