Një operacion i vështirë shpëtimi në rajonin e Kievit ka përfunduar me një lajm shpresëdhënës mes pasojave tragjike të sulmeve ruse. Një 7-vjeçar u nxor i gjallë nga rrënojat e një pallati, pasi kishte qëndruar i bllokuar për 14 orë. Sulmet gjatë natës kanë shkaktuar të paktën 11 viktima, sipas autoriteteve ukrainase.
Ngjarja ndodhi në orët e para të së dielës në zonën e Dymerit. Përveç fëmijës, ekipet e shpëtimit arritën të nxjerrin të gjallë edhe një grua 79-vjeçare, e cila u transportua në spital për trajtim mjekësor. Sipas zyrtarëve, gjendja shëndetësore e të miturit është e qëndrueshme.
Bilanci i viktimave u rëndua edhe nga sulmet në zona të tjera të rajonit. Në Bila Tserkva, një goditje ndaj një banese private shkaktoi një viktimë dhe zjarr në ndërtesë. Ndërsa në Vyshneve, sipas presidentit Volodymyr Zelensky, tre persona humbën jetën dhe 13 të tjerë u plagosën pas goditjes së një dyqani ushqimor.
Mbi 130 persona janë angazhuar në operacionet e kërkim-shpëtimit, të cilat vijojnë për të verifikuar nëse ka ende njerëz nën rrënoja. Autoritetet kanë paralajmëruar se puna po vështirësohet nga alarmet e përsëritura për sulme ajrore. Ministri i Brendshëm ukrainas, Ivan Vyhivskyi, bëri të ditur se sulmi në Dymer ndodhi rreth orës 05:00, kur banorët ndodheshin në gjumë. Sipas tij, deri të dielën në mbrëmje ishin regjistruar më shumë se 70 sulme në dhjetë rajone të Ukrainës.
Ndërkohë, kryeministri ukrainas njoftoi se një tjetër objekt i goditur nga forcat ruse ishte një nënstacion elektrik në rajonin e Dnipropetrovskut.
