Një sulm me dronë detarë në portin e Bengazit në Libi ka vënë në qendër të vëmendjes përshkallëzimin e mundshëm të konfliktit Ukrainë-Rusi përtej Detit të Zi. Një anije luftarake ruse u godit të dielën dhe, pas disa orësh zjarri, u fundos në një bazë detare libiane. Sipas burimeve libiane të cituara nga mediat ndërkombëtare, sulmi u krye me dronë detarë të pajisur me eksplozivë. Forcat detare libiane ndërhynë për të shpëtuar ekuipazhin, ndërsa dhjetë persona, rusë dhe libianë, mbetën të plagosur lehtë dhe morën ndihmë mjekësore.
Pamjet satelitore të publikuara nga kompania Vantor tregojnë se pjesa më e madhe e anijes ishte fundosur, ndërsa mbi sipërfaqen e ujit kishte mbetur e dukshme vetëm një pjesë e saj. Sipas analizës së këtyre pamjeve, bëhet fjalë për korvetën ruse Merkury. Deri tani, asnjë palë nuk ka marrë zyrtarisht përgjegjësinë për sulmin. Megjithatë, një gazetar i Axios, duke cituar një burim të njohur me çështjen, raportoi se pas operacionit mund të qëndrojë Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU). Moska nuk ka bërë ende një reagim publik.
Deux navires, dont un russe, attaqués dans un port de Libye https://t.co/rdKVqsrsed
— BFM (@BFMTV) November 23, 2026
Ambasadori rus në Libi, Aidar Aganin, deklaroi për Al Arabiya se Kievi po përpiqet ta shtrijë konfliktin përtej zonës së luftimeve dhe paralajmëroi se sulmet nuk do të mbeten pa përgjigje. Në të njëjtën ditë, një tjetër incident u regjistrua në brigjet e Bengazit. Një anije tregtare me flamur maltez u godit nga një dron detar, sipas dy burimeve ushtarake libiane të cituara nga Reuters.
Ndërkohë, forcat detare dhe ajrore libiane raportuan se kishin kapur më shumë se 20 dronë detarë pranë brigjeve të qytetit. Qeveria me seli në Libinë lindore i është drejtuar Kombeve të Bashkuara me kërkesë për një hetim ndërkombëtar. Kryeministri Osama Hamad kërkoi verifikimin e pretendimeve se dronët ishin nisur nga Libia perëndimore dhe nëse në vend ndodheshin ekspertë ukrainas të përfshirë në operacion.
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Libi reagoi duke shprehur shqetësim të thellë për sulmet dhe kërkoi një hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe transparent. Në deklaratën e publikuar në rrjetin social X, misioni theksoi se Libia nuk duhet të kthehet në një fushëbetejë për konfliktet e vendeve të tjera. Ngjarjet në Bengazi ngrenë shqetësime për përhapjen e mëtejshme të tensioneve mes Moskës dhe Kievit në Mesdhe, ndërsa përgjegjësia për sulmet dhe rrethanat e tyre mbeten ende për t’u hetuar.
