Një video e shkurtër nga një konferencë për shtyp në Nju Jork ka mjaftuar për të nxitur reagime dhe teori të pazakonta në rrjetet sociale. Në qendër të vëmendjes është 32-vjeçari Jordan Wright, anëtar demokrat i Asamblesë Shtetërore të Nju Jorkut, i cili u bë objekt i pretendimeve se mund të ishte një krijesë reptiliane e maskuar si njeri. Gjithçka nisi gjatë një aktiviteti ku kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zoran Mamdani, prezantoi planin për mbylljen e burgut të Rikers Island. Wright ndodhej mes të pranishmëve dhe u filmua në një moment teksa buzëqeshte, puliste sytë dhe më pas i kthente ata lart, duke ekspozuar pjesën më të madhe të të bardhës së syve. Pamjet u shpërndanë me shpejtësi në platformat sociale, ku disa përdorues nisën të pretendonin se lëvizja e syve ishte shenjë e një identiteti jo njerëzor.

Videoja nxiti komente të shumta, ku disa përdorues e lidhën pamjen e Wright me teorinë e njohur të konspiracionit për të ashtuquajturit reptilianë, krijesa që, sipas kësaj teorie pa baza shkencore, jetojnë mes njerëzve duke marrë pamjen e tyre. I pyetur nga New York Post, Wright tha se nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur saktësisht në momentin kur ishte filmuar. Ai mohoi pretendimet dhe iu referua punës së tij si politikan për të theksuar identitetin e tij njerëzor.

“Sigurisht që jam një qenie njerëzore dhe humanizmi im tregohet përmes punës sime legjislative”, u shpreh ai, duke përmendur edhe fondet prej 4 milionë dollarësh për qendrën e drejtësisë mjedisore WE ACT në Harlem.

Jordan Wright është djali i Keith L. T. Wright, drejtues i Partisë Demokratike në Manhattan, dhe përfaqëson distriktin e 70-të të Asamblesë Shtetërore të Nju Jorkut, që përfshin disa zona të Harlem-it. Teoria se politikanë dhe figura të fuqishme janë në të vërtetë krijesa reptiliane të maskuara si njerëz është përhapur prej vitesh në internet, pa asnjë mbështetje shkencore.

Ideja është shfaqur edhe në letërsinë fantastike të shekullit XX, përfshirë veprat e shkrimtarit Robert E. Howard, krijuesit të personazhit Conan. Me kalimin e kohës, këto elemente të fantazisë janë ndërthurur me pretendime konspirative për kontrollin e qeverive dhe institucioneve nga qenie të tilla. Në rastin e Wright, gjithçka nisi nga disa sekonda videoje, të cilat u kthyen në një fenomen viral në rrjetet sociale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb