Parisi ka hyrë zyrtarisht në atmosferën e festave të fundvitit. Mbrëmjen e së dielës, avenyja e famshme Champs-Élysées u ndriçua nga mijëra drita shumëngjyrëshe, duke shndërruar një prej rrugëve më ikonike të kryeqytetit francez në një spektakël festiv. Ceremonia e ndezjes së dekorimeve u drejtua nga aktorja e njohur Cate Blanchett, fituese e dy çmimeve Oscar, e cila pati nderin të shtypte butonin që aktivizoi ndriçimin e Krishtlindjeve.

Pak pas orës 19:00, nën tingujt e veprës “Katër stinët” të Vivaldit dhe mes shiut që shoqëroi ceremoninë, mbi 400 pemët përgjatë avenysë u mbuluan nga dritat LED, duke krijuar një pamje mbresëlënëse për mijëra njerëzit e mbledhur në zonë.

Ndriçimi festiv i Champs-Élysées është një traditë që daton që prej vitit 1981 dhe çdo vit shënon nisjen e atmosferës së Krishtlindjeve në Paris. Sipas Komisionit të Champs-Élysées, gjatë sezonit festiv të vitit 2025, rreth 14 milionë vizitorë kaluan në këtë aveny, ndërsa afro një milion njerëz mblidhen çdo vit për të festuar ndërrimin e viteve.

Për këtë sezon janë parashikuar rreth 560 mijë drita LED, të cilat krijojnë kombinime të ndryshme ngjyrash dhe efektesh ndriçimi. Koncepti i këtij viti është frymëzuar nga ritmet e natyrës dhe është realizuar nga kompania franceze Blachere Illumination, e cila bashkëpunon me organizatorët e eventit që prej vitit 2007.

Përgatitjet për spektaklin nisën që në shtator, me angazhimin e 30 teknikëve, të cilët vendosën rreth 52 kilometra vargje ndriçimi në pemët përgjatë rrugës së famshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb