Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, përsëriti ftesën ndaj partive të reja për t’u bashkuar në një front të përbashkët opozitar kundër qeverisë së Edi Ramës.

Në një intervistë për News24, Balliu deklaroi se nëse partitë e reja nuk i përgjigjen kësaj ftese, atëherë mbetet e dyshimtë nëse ato janë vërtet opozitare.

Ai theksoi se protesta e opozitës zhvillohet kundër korrupsionit dhe vjedhjes së qeverisë, duke përmendur aferat e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku dhe ato të kompanisë shtetërore KAYO.

Balliu u ndal edhe te lidhjet e ish-kreut të SHISH me Ergys Agasin, duke deklaruar se këto lidhje njiheshin nga të gjithë, por askush nuk fliste, pasi sipas tij, Shqipëria është një narko-shtet.

Klevis Balliu: Ne e bëmë hapin tonë. Edhe në lidhje me reformën zgjedhore, PD është e hapur si e duan këta partitë e vogla. Nëse i themi të gjitha këto dhe nuk ka reagim duhet parë sa opozitare janë. Ça po bëjnë protestuesit që duhet të dalin 5000 policë atje? I kanë tmerr. Ky pushteti ka frikë protestuesit. Edhe nëse del 1 atje kanë frikë. Ata kanë dalë aty janë, qytetarë të lirë. Po bëjnë protestë ndaj një qeverie që vjedh, që është kapur me kreun e SHISH, me Lubinë me Kayo, me aferën e sterilizimit me një qeveri që ka hequr 40 mld dollarë nga buxheti. Në këtë aspekt ç’të duhet nga vijnë apo si vijnë. Mendoj se kjo duhet të jetë qasja e një partie opozitare, ne PD me 500 mijë vota dalim e shtrijmë dorën. Kur nuk vijmë ne me kushte, nuk ke pse vjen ti me kushte, nuk është serioze.

Hajde të diskutojmë bashkërisht. Nëse nuk duan të diskutojnë, ka një çështje tjetër që është fatkeqësisht ka investime si pseudo opozitarë, që godasin opozitën. Ndërkohë që ky vjedh me KAYO, ky thotë po Sali Berisha ç’po bën. Ore zotëri po qeveris Edi Rama, jo PD-ja. Ne kemi 2 vite që flasim për AKSHI. 2 vjet që flas për Vlora Hysenin. Nuk ftohesha në studio se flisja për Vlora Hyseni. Kam bërë 16 konferenca për shtyp nga PD. Lidhjen e Hysenin me Agasin e kanë ditur të gjithë. Si nuk e ka ditur Edi Rama? Të gjithë e dinin dhe të gjithë heshtnin. Kjo është bashkëfajësia, themelimi i narko shtetit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb