Mbi 1,000 ushtarë rusë kanë kryer vetëvrasje që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Shifrat dalin nga të dhëna të klasifikuara të agjencisë shtetërore ruse të statistikave, Rosstat, të cilat janë analizuar nga gazeta britanike “The Guardian”. Sipas hetimit, numri i vërtetë i rasteve mund të jetë edhe më i lartë, pasi një pjesë e vdekjeve dyshohet se janë regjistruar në kategori të tjera, për të mos u identifikuar si vetëvrasje.
Në total, “The Guardian” ka identifikuar 1,087 raste vetëvrasjesh të ushtarakëve rusë. Ndërkohë, vdekjet e 885 ushtarëve të tjerë, të regjistruara si plagë me armë zjarri me “qëllim të papërcaktuar”, dyshohet se mund të fshehin raste të ngjashme. Sipas ekspertëve, këto shifra përfaqësojnë një numër të konsiderueshëm viktimash, të krahasueshëm me humbjen e një regjimenti të tërë ushtarak.
Një nga rastet e dokumentuara është ai i Alexei Bolgov, një rreshter 29-vjeçar, i cili në fund të tetorit 2024 i kishte rrëfyer bashkëshortes së tij, Natalia, përmes telefonit, situatën e rëndë që po përjetonte në një seli ushtarake në rajonin e pushtuar të Donetskut. “Është e tmerrshme ajo që po ndodh këtu. Do t’jua tregoj kur të kthehem”, i kishte thënë ai. Por Bolgov nuk u kthye më në shtëpi. Pesë javë më vonë, ai u gjet i vdekur pranë pozicioneve të njësisë së tij.
Sipas raportit të komandantit, të siguruar nga “The Guardian”, ushtari kishte qenë në një gjendje izolimi dhe mbylljeje në vetvete në ditën e vdekjes. Rasti i tij është një prej dëshmive që hedhin dritë mbi pasojat psikologjike të luftës dhe presionin me të cilin përballen ushtarët rusë.
Të dhënat tregojnë se të paktën 614 nga vetëvrasjet e identifikuara kanë ndodhur në territoret e pushtuara të Ukrainës ose në rajonet ruse pranë kufirit, kryesisht në Belgorod dhe Bryansk. Në 113 raste të tjera, vendi ku ka ndodhur vdekja nuk është specifikuar. Më shumë se gjysma e rasteve janë regjistruar me armë zjarri, ndërsa vdekjet kanë ndodhur në kampe ushtarake, pozicione luftarake, poligone stërvitore dhe banesa private.
Shqetësues është edhe fakti se mes viktimave ka pasur ushtarë shumë të rinj. Në zonat e luftës janë identifikuar 43 raste të vetëvrasjeve të personave të moshës 18 dhe 19 vjeç. Ndërkohë, të dhënat përfshijnë edhe 108 burra nën moshën 25 vjeç, të cilët kanë humbur jetën në pjesë të tjera të Rusisë, larg frontit.
Numri i vetëvrasjeve të regjistruara është rritur ndjeshëm gjatë viteve të luftës. Nga më shumë se 50 raste në vitin 2022, shifra kaloi në mbi 200 në vitin 2024, ndërsa në vitin 2025 u regjistruan 365 raste. Edhe për vitin 2026, megjithëse të dhënat janë ende të paplota, janë evidentuar pothuajse 300 vetëvrasje.
Ekspertët e lidhin këtë fenomen me kushtet e rënda në ushtrinë ruse, presionin nga komandantët dhe kolegët, si dhe frikën e dërgimit në misione me rrezik të lartë në vijën e frontit. Një tjetër faktor konsiderohen kontratat ushtarake, të cilat u japin ushtarëve shumë pak mundësi për t’u tërhequr nga lufta.
Rob Lee, bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Kërkimeve të Politikës së Jashtme, tha se ushtria ruse përdor forma të ndryshme shtrëngimi për t’i detyruar ushtarët të shkojnë në front. Sipas tij, në disa raste ata përballen me abuzime, tortura dhe dhunë fizike, çka mund të shpjegojë një pjesë të rasteve të vetëvrasjeve.
Të dhënat janë siguruar nga një rrjedhje e më shumë se 11 milionë certifikatave të vdekjes, të publikuara përmes një operacioni të grupeve të hakerëve Cyber Partisans dhe Silent Crow. Kremlini nuk publikon statistika mbi vetëvrasjet në ushtri dhe i konsideron humbjet ushtarake sekret shtetëror.
Sipas Ivan Chuvilyaev, zëdhënës i organizatës “Idite Lesom”, e cila ndihmon ushtarët rusë të dezertojnë, shifrat e publikuara përfaqësojnë vetëm një vlerësim shumë konservator. Ai thekson se shumë raste nuk regjistrohen si vetëvrasje, por paraqiten si vdekje gjatë luftimeve apo si plagë me armë zjarri me qëllim të papërcaktuar.
Ndërkohë, problemet në ushtrinë ruse pasqyrohen edhe nga numri i lartë i ushtarëve që refuzojnë shërbimin ose largohen pa leje nga repartet. Sipas medias së pavarur ruse “Mediazona”, deri në fund të majit 2025, gjykatat ushtarake kishin shqyrtuar çështje ndaj 20,662 personave për refuzim të kryerjes së detyrës ushtarake. Një tjetër hetim i medias “IStories” identifikoi të paktën 49 mijë ushtarakë të klasifikuar si dezertorë ose persona që mungonin pa leje.
Sipas aktivistëve që ndihmojnë ushtarët të largohen nga ushtria, mendimet vetëvrasëse janë të shpeshta mes personave që kërkojnë ndihmë për të dezertuar. Të dhënat e publikuara nga “The Guardian” ofrojnë një pasqyrë të rrallë të gjendjes brenda forcave të armatosura ruse, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon dhe humbjet njerëzore mbeten të larta.
