Dalin pamjet e automjetit që dyshohet se është përdorur nga autorët e atentatit në Fier, ku mbeti i vrarë Selami Hasani dhe nipi i tij, Jakup Hasani, i cili ndërroi jetë sot në spital, pasi nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.
Bëhet fjalë për një automjet tip “Volvo”, me ngjyrë të bardhë, i cili është fiksuar nga kamerat e sigurisë në afërsi të banesës së viktimës, përpara se të ndodhte atentati.
Ky është i njëjti automjet që më pas u gjet i djegur në fshatin Dërmenas. Gjatë kontrollit të makinës, policia gjeti brenda saj edhe dy pistoleta, njëra prej të cilave e pajisur me silenciator.
Pamjet e kamerave të sigurisë janë administruar nga grupi hetimor dhe po analizohen në kuadër të hetimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Ndërkohë, në kuadër të hetimeve për atentatin janë shoqëruar tre persona në Policinë e Fierit. Deri më tani, autorët nuk janë identifikuar, ndërsa vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
