Zvicra do të hedhë në treg një monedhë të re ari me vlerë nominale 25 franga, e krijuar posaçërisht për koleksionistët. Emetimi do të jetë i kufizuar në vetëm 5 mijë ekzemplarë.

Monedha do të shitet nga Swissmint, institucioni shtetëror përgjegjës për prodhimin e monedhave zvicerane, me një çmim prej 715 frangash në dyqanin zyrtar online.

E përbërë nga 90 për qind ar, ajo peshon 5.64 gramë dhe ka një diametër prej 20 milimetrash.

Pamja e saj ndërthur simbole dhe motive të monedhave të vjetra zvicerane. Në njërën anë është paraqitur stema e vendit, e rrethuar me degë të trëndafilit alpin, ndërsa në anën tjetër shfaqen kryqi zviceran dhe vlera nominale prej 25 frangash.

Dizajni sjell në vëmendje monedhat historike të arit të viteve 1871 dhe 1955–1959, të cilat nuk u përdorën në qarkullimin e zakonshëm dhe një pjesë e madhe e të cilave përfunduan duke u shkrirë.

Përmes këtij botimi të rrallë, Swissmint synon të ruajë dhe të promovojë traditën numizmatike të vendit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: