Ka ndërruar jetë sot më 26 nëntor mjeku i njohur Ylli Ziçishti.

Ai ka qenë edhe deputet i Partisë Socialiste gjatë periudhës 2013-2017.

Kush ishte Ylli Ziçishti?

Ylli Ziçishti, ishte një mjek kirurg shqiptar, i cili u bë i njohur për kontributin e tij në sistemin shëndetësor, por edhe për historinë e familjes së tij, të goditur nga represioni i regjimit komunist.

Ai lindi më 15 shkurt 1950 në Tiranë, ndërsa rrënjët familjare i ka nga fshati Ziçisht i Devollit. Është djali i Mihallaq Ziçishtit, ish-zyrtar i lartë i regjimit komunist, dhe nipi i Llambi Ziçishtit, ish-ministër i Shëndetësisë, i cili u arrestua dhe u ekzekutua në vitin 1983, pas akuzave në kuadër të goditjes së grupit të Mehmet Shehut.

Në fillim të viteve ’80, pas goditjeve ndaj familjes së tij, Ylli Ziçishti u internua nga autoritetet komuniste, fillimisht në Koman dhe më pas në Dukagjin. Në vitin 1983 u transferua në Tepelenë, ku vijoi të ushtronte profesionin e mjekut kirurg. Sipas rrëfimeve për jetën e tij, për të mbrojtur bashkëshorten dhe djalin e vogël nga pasojat e persekutimit, ai u detyrua të ndahej për një periudhë nga familja, për t’u ribashkuar më vonë me ta.

Ziçishti kreu studimet për mjekësi në Tiranë dhe u specializua më tej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përpara viteve ’90 ushtroi profesionin në Tepelenë, ndërsa më vonë u bë një nga emrat e njohur të kirurgjisë në vend. Për 16 vite mbajti detyrën e shefit të Urgjencës në Spitalin Universitar të Traumës së atëhershme, Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Tiranë.

Në vitin 2013, Ylli Ziçishti hyri në politikë si përfaqësues i Partisë Socialiste, duke u zgjedhur deputet në Kuvendin e Shqipërisë për qarkun e Korçës, në zonën e Devollit. Mandatin parlamentar e mbajti deri në vitin 2017.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: