Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, ka komentuar kundërshtarët e kuqezinjve në fazën finale të Kampionatit Europian U-21 2027, pas shortit të hedhur këtë të enjte, ku Shqipëria u pozicionua në Grupin B së bashku me Spanjën, Italinë dhe Finlandën.
Në një prononcim për fshf.org, Bushi vlerësoi nivelin e skuadrave që do të përballen me Shqipërinë, duke theksuar se stafi teknik i njeh mirë të tre kundërshtarët, me të cilët kuqezinjtë janë ndeshur gjatë dy viteve të fundit.
Trajneri i Shqipërisë U-21 shprehu besimin te skuadra dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së tifozëve shqiptarë, që do të jenë një faktor i rëndësishëm në ndeshjet e fazës së grupeve. Bushi bëri gjithashtu të ditur se përgatitjet do të vijojnë me dy miqësore në muajin mars dhe një grumbullim dyjavor në maj, me synimin që skuadra të jetë sa më konkurruese për ndeshjen e parë ndaj Spanjës, më 16 qershor.
“E dinim që të gjitha ekipet janë të forta, të një niveli shumë të mirë teknik dhe fizik. Për sa i përket ekipeve që na ranë në short, si Spanja, Italia dhe Finlanda, kemi luajtur dy vitet e fundit. Ndaj Spanjës luajtëm para dy javësh dhe e njohim si kundërshtar, me Italinë kemi bërë miqësore para tre muajsh, kurse me Finlandën kemi qenë para dy vitesh në të njëjtin grup.
Mendoj që është një short i mirë, duke parë të gjitha ekipet që kanë shumë kualitet. Ne do të kemi ambiciet tona, do të jemi konkurrues në çdo ndeshje, sepse jo vetëm që kemi një ekip të fortë, por do të kemi edhe publikun. Të luash me 20 mijë shikues në “Arenën Kombëtare” kundër këtyre ekipeve është një favor shumë i madh. Shpresoj dhe mendoj që do të bëjmë shumë mirë, do të jemi dinjitozë për të përfaqësuar Shqipërinë sa më mirë.
Kemi edhe miqësoret e marsit, që besoj se do t’i bëjmë me ekipet e grupeve të tjera, jo të grupit tonë. Do të mundohemi që të gjejmë një kundërshtar që t’i përshtatet Spanjës, Italisë dhe Finlandës. Kemi dy miqësore, do të përgatitemi shumë mirë. Pastaj kemi edhe grumbullimin që do ta bëjmë dyjavor në muajin maj, për të qenë sa më kompetitivë në ndeshjen e parë, në datën 16 kundër Spanjës. Objektivi ynë është që ne të jemi konkurrues në çdo ndeshje për ta përfaqësuar sa më mirë vendin tonë”, – tha Alban Bushi.
