Nga Agron Gjekmarkaj
Nuk kishte si të ishte ditë e zakonshme e djeshmja!
Horizonti dukej i errët si mjekrra e e Ulësisë që në mëngjes, ndonëse filxhani i mjekërrmbajtësit rrëfen rrugë të hapura!
Qefserja shfaqej e përzhitur si njeri që parasheh kobe! Dilo Nasufi, ministrit të transportve vetë Rrustem Karakaçit, që nuk e zinte vendi në vend, i tha: «Më sill një kafe!», duke besuar se është kamerier i shërbimeve qeveritare! U ngrys! Dilua, kur e kuptoi që e kishte djallosur, i bënte be mbi Kuran që s’e kishte njohur!
Gonxhja, me një qetësi të admirueshme prej teveqeli, mbushte nga një qese që mbante poshtë këmbëve një tas me biskota, pra hante që ç’ke me të; pastaj, me ibrik, hidhte qumësht e kafe në një tjetër! Aty, toptan, para kamerave. Qafiri është bërë si ari! Nga darka qau me kokërr të lotit: «Po më bullizoni», tha!
Sofjani rrinte si i përhumbur viseve të sevdasë e ndezullisë për njerëzit e mirë!
Bora shkrifetohej në përsiatje nga ato të thellat! Zeniqeja, si motorpompe, hidhte ujë përpjetë për të freskuar mendimet e ndezura! Albana Koçia e Klodi Spaqia, herë pas here, pyesnin Delina Ibrahimajn: «Po ne pse jemi këtu, kush jemi, çfarë kemi bërë?»
Ajo, me buzëqeshje, ua kthente: «Ai e di, unë se di!»
Paulin Nufi erdhi e iku si vetëtima; askush nuk e njohu kur hyri, askush s’e vuri re kur iku!
Demir Demua i punëve të brendshme konturohej si dikush që vuan nga diarreja e barkut dhe e kokës! Ishte larë e ndërruar, se ka hequr keq këto kohë qerratai! Ka filluar t’i pëlqejë vetja tani që beson se ka lënë pas tisin e provincës dhe është bërë kardashler me Babon!
Ju e mbani mend Tezen që studentët i dogjën karrigen në ministri, të tretur, të mplakur, të frikur, të fikur, të lebetitur, por dje, kur Doktor Tritani, ndonëse në dy të natës, po fliste me patos për blegtorinë dhe mbarështimin e cjepërve e të imtave në zonën e Gjirokastrës, krejt papritur u gjallërua, u rinua, u ndez, rrinte në këmbë, bënte hoka, lëshonte pasthirrma, spazma; tiku nervor i pushoi, u relaksua! Sa e do blegtorinë e uruara! Opozita do t’i dhurojë Tezes një cjap që ta kullosë kur mos të jetë më ministre!
Termeja e shihte dhe xhani i çahej: «Kjo me motrani e shoqeni po e marrin në qafë Babon, kur ai më besonte mua punët shkonin jangëllesh!»
Toni duket si i hequr, domethenë i dobesuar e i menduar, siç i ka hije një kleriku!
Ogi, që kur Babua i ka hequr zhguallin e breshkës të Bashkisë së Tiranës, është çelur, plot nur dhe buzëqesh me masë e marifet! Nuk ka atë buzëqeshjen e mprehtë të Etildes, por të vetën, më spontane e të thjeshtë!
Gjithmonë, pa hequr dorë nga përkujdesjet ndaj çamarrokut Ervin Hoxha, i cili, me frymën që i merrej, rrëfente si kishte parë Mamicën, e cila mbante kohën e vet në dorë dhe qafën, e cila shkumëzonte nga prerja, duke vrapuar si dhi e çartur për t’i ndërsyer për ato beteja që s’i bëri Kleopatra as Perandori Kinez!
Që ditën kur Klosi, me urdhër të Babos, nga milli biçakun nxori e i preu kokën Mamices dhe me sini shëtiste studio më studio, nuk është më i njëjti!
Dje ai hipi mbi karrige, duke çmeritur të madh e të vogël, duke bërtitur: «Do ta nxjerr, do ta nxjerr, do ta nxjerr!!!»
«Ç’do të nxjerrësh, mor të plaçin sytë?!», i tha Tao nën zë, se na bëre hor! Ogi u fsheh, ish Buçkua u skuq, Antoneta e mbante nga pantallonat! «Mos e bëj, mos e bëj!»
Ai përsëri: «Do ta nxjerr, do ta nxjerr, do ta nxjerr biçakun!»
«Nuk është koha e së djathtës, nuk është koha e së majtës, është koha e Biçakut!», vikati!
Më pas u ul dhe rrinte i ngrysur; befas ngrihej dhe nxirrte biçakun nga xhepi e vringëllinte herë mbi kokën e Taos, herë mbi atë të Evis Kushit! Të kishte ndonjë domethënie kjo? Erjon Malaj bëri kollotumba në të ikur, tek thërriste: «Të shpëtojë kush të mundet!» Garda rrethoi Nikollaqnë, të telefosur nga tmerri!
Kostaqi u mundua të ngrejë një pirg me karrige si barrikadë! I çoi një helmetë minatorësh dhe ia vuri mbi krye!
Klosi qetësohej, qeshte dhe ndonjëherë qante! Rrinte sa rrinte, lidhte me spango biçakun dhe e vërtiste me rreze më të gjerë, mbi kokën e Xhafës dhe të Braçes! Shkrehej e ngrihej po kaq, me një litar më të gjatë, e rrotullonte mbi kokën e Damos!
Të gjithë prisnin ku binte si shesh beshi në tavëll! Ulej prapë, qetësohej, qeshte: «Po bëj shaka», thoshte, kur befas deneste! Kur askush s’e priste, ringrihej, nxirrte biçakun dhe shikonte egër Çuçin! Nuk dinin ta ndanin: e kishte porosi nga Babo që të kallte datën apo ishte dalldi e tij?
Shalsi i rikthyer nga historia mbajti një fjalim si për të na thënë që jeta është një shaka, mos e merrni seriozisht!
Tao bëri një betejë titanësh me Agron Shehajn! Erjo Mile gulçonte si në stadium dhe herë pas here i fshinte ballin e djersitur atij, i lumtur që dobia po binte në sy!
Kur agimi po afrohej lehtë si petal, në sallë hyri Bela! Me shikim të ngrysur në një kënd 120 gradë, nuk u hallakat në koinfidenca! Autorin e kronikës e gjuajti me një shikim që i shkaktoi atij 100 vjet vetmi!
Me ish Buçkon, i cili u gëzua pa masë, shkëmbeu tre fjali e gjysmë! Klosi po i rrëfente biçakun e përgjakur, po ajo nuk shfaqi interes, nuk e konsideroi heroizmin e tij! «E mi, e mi, sikur nuk ta pordhi, servilosu ti», i tha Braçja Klosit, tashmë të zalisur e të rënë moralisht; «të trajtoi si hyzmeqar!»
Lufta na i plagosi për ca kohë më të mirët: Kryezevendës Liderin Flamur, që i jep flakë xhepehanes; Gaz Bardhin, që është bërë si Fusheja, duke administruar jetët e fshehta të njerëzisë; Belon, i cili e ka llafin helm për dushmanë e mjaltë për vatanë. Luan Baçi vajtonte mungesën e tyre, ndiente mall të pashuar!
Kishte merak në mjeshtri: Tomorr Alizoti dhe Autori i Kronikës do të kishin këllqe për të mbajtur besimin që u ishte ngarkuar, apo pesha e tij do t’i zinte nën vete? Enno Bozdo nuk po e ndante këtë dilemë, si për t’u shtuar ankthin!
Oerd Bylykbashi, që citonte personazhe nga Luiza në Botën e Çudirave, insistonte se njeriu që jeton në paqartësi rrit imunitetin e shqisave!
Saimir Koreshi, që Zoti ja shtoftë ymrin, si virtuoz i lindur, i binte e i frynte një bilbili për të na nxjerrë gjumin që shpesh na afrohej si pushtues! Arkend Balla, i mbuluar nga mjekrra e vet, gërhiste në një gjumë të thellë!
Jorushi i Tabakëve, e cila kishte qenë e ftuar në Gjermani nga Wanderpuli, ministri i Jashtëm i Nemçes, dhe veziri tjetër Kriçbaun, na shihte si nga lart dhe i dukeshim të vegjël e të parëndësishëm, si biçim mediokrisht që askush s’i qas! Por, kur nuk e prisje, bëhej njerëzore dhe e begenishme, duke na rrëzuar pandehmën!
