Një qytetar pjesëmarrës në protestën kombëtare të 28 Nëntorit në Tiranë i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit që të mos përdorë flamurin kombëtar mbi autobotet e ujit, të cilat përdoren për shpërndarjen e protestuesve.

Në një prononcim gjatë tubimit, ai u kërkoi efektivëve që simbolin kombëtar ta mbajnë në zemër dhe jo në mjetet që, sipas tij, përdoren për të dëmtuar qytetarët.

“Festën e kemi nesër, sot do të ngremë flamurin. U bëj thirrje policëve që flamurin për të cilin janë betuar ta mbajnë në zemër, jo mbi autobotet e ujit. Le ta mendojnë se me flamur do të kenë një mburojë, por u bëj thirrje ta heqin sa janë në kohë dhe të mos e përdhosin. Flamuri kombëtar nuk vihet në mjete që përdoren për të dëmtuar popullin”, u shpreh qytetari.

Ai theksoi se protestuesit janë mbledhur në Ditën e Flamurit me synimin për të ngritur simbolin kombëtar dhe për të përcjellë mesazhet e tyre kundër qeverisë. Qytetari iu drejtua gjithashtu efektivëve të policisë, duke u kërkuar të zgjedhin nëse janë në krah të qytetarëve apo në zbatim të urdhrave politikë.

“Le të ndajnë sot nëse janë me popullin apo me urdhrat politike”, deklaroi ai.

Në përfundim, protestuesi u shpreh se sipas tij, koha kur kryeministri Edi Rama mund të largohej përmes dorëheqjes ka përfunduar, duke artikuluar thirrjen: “Skadoi koha që Rama të japë dorëheqjen, sot kombi shqiptar do ta heqë”.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb