Koreja e Veriut, një prej vendeve më të izoluara dhe më të varfra në botë, ka ndërtuar ndër vite një nga ushtritë më të fuqishme të hakerëve në nivel global. Një mekanizëm i mirëorganizuar shtetëror, i cili përmes sulmeve kibernetike ka arritur të përvetësojë shuma marramendëse, duke i siguruar regjimit të Kim Jong-un burime financiare për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare dhe për të financuar programet e tij bërthamore e raketore.
Sipas një analize të CNN, pasuria e përfituar nga këto operacione vlerësohet tashmë në rreth 13 miliardë dollarë. Një prej operacioneve më të mëdha të atribuuara hakerëve koreanoveriorë është vjedhja e kriptomonedhave me vlerë rreth 6.3 miliardë dollarë nga Binance, bursa më e madhe e kriptomonedhave në botë. Sipas firmës së analizës së transaksioneve dixhitale TRM Labs, pjesa më e madhe e shumës u përvetësua brenda vetëm 20 minutash. Pheniani ka mohuar përfshirjen.
Nick Carlsen, studiues i lartë në TRM Labs, e përshkruan këtë mekanizëm si një rast të pazakontë, ku një strukturë shtetërore e spiunazhit kibernetik përdoret për të kryer vjedhje me karakter të mirëfilltë kriminal.
Plani i nisur nga Kim Il-sung në vitet ’80
Themelet e kësaj strukture kibernetike u hodhën në vitet 1980, shumë përpara se kriptomonedhat të bëheshin një instrument financiar global. Ishte Kim Il-sung, themeluesi i dinastisë që drejton ende Korenë e Veriut, ai që vendosi të krijonte një brez specialistësh të përgatitur në shkencë dhe teknologji.
Duke ndjekur zhvillimin ekonomik dhe teknologjik të Koresë së Jugut, ai themeloi në Phenian një shkollë të posaçme për nxënësit më të talentuar, me fokus matematikën, shkencat kompjuterike, teknologjinë dhe gjuhët e huaja.
Përzgjedhja ishte jashtëzakonisht e rreptë. Sipas një studimi të vitit 2019 nga Jin Shin, drejtues i Institutit për Strategji Kombëtare në Universitetin Kombëtar Chungnam në Korenë e Jugut, nxënësit kishin akses në kompjuterë nën mbikëqyrje të vazhdueshme.
Çdo vit, 100 studentët më të mirë në shkencat kompjuterike përzgjidheshin për të vijuar studimet në universitete ushtarake. Më të spikaturit dërgoheshin për specializim në Kinë dhe Rusi, ndërsa disa prej tyre patën mundësi të studionin edhe në vende perëndimore, përfshirë Britaninë e Madhe.
Kështu, regjimi krijoi gradualisht një grup specialistësh me njohuri të thelluara mbi sistemet informatike të kompanive ndërkombëtare, shërbimet financiare dhe teknologjinë perëndimore.
Nick Carlsen e krahason këtë model me sistemin e Gjermanisë Lindore gjatë Luftës së Ftohtë, kur shteti identifikonte që në moshë të vogël fëmijët me aftësi të veçanta sportive dhe i përgatiste për garat ndërkombëtare.
“Koreja e Veriut ka bërë të njëjtën gjë me fëmijët që kanë aftësi matematikore: i identifikon që në moshë të vogël dhe zhvillon potencialin e tyre”, shpjegon studiuesi.
Njësia 121, arma kibernetike e Kim Jong-un
Pas përfundimit të trajnimit, specialistët më të talentuar rekrutohen në strukturat elitare të luftës kibernetike, ku përfshihet edhe njësia famëkeqe ushtarake 121. Këto struktura kanë në shënjestër bankat e huaja, institucionet qeveritare dhe infrastrukturën kritike të vendeve të tjera.
Anëtarësimi në këto njësi përfaqëson një nga mundësitë e rralla për përparim shoqëror në një vend ku pjesa më e madhe e popullsisë përballet me privime të rënda. Hakerët e përzgjedhur përfitojnë privilegje të konsiderueshme, përfshirë apartamente në zonat më të pasura të Phenianit dhe mundësinë për të zhvendosur familjet e tyre në kryeqytet.
Kur Kim Jong-un mori pushtetin në vitin 2011, infrastruktura e kësaj ushtrie kibernetike ishte tashmë e konsoliduar. Udhëheqësi i Koresë së Veriut, i cili kishte studiuar në Evropë, e kuptoi potencialin strategjik të internetit dhe të sulmeve kibernetike.
Në një informim të inteligjencës së Koresë së Jugut në vitin 2013, atij i atribuohet vlerësimi se lufta kibernetike është një “shpatë shumëfunksionale”, e cila i garanton ushtrisë koreano-veriore aftësi sulmuese krahas armëve bërthamore dhe raketave.
Vlerësimet e vitit 2019 e vendosnin numrin e personave të përfshirë në këtë ushtri kibernetike nga 1,800 deri në 7,000.
Nga sulmi ndaj Hollywood-it te grabitjet miliarda dollarëshe
Përmasat e aftësive kibernetike të Phenianit u bënë të njohura ndërkombëtarisht në vitin 2014, kur grupi i hakerëve Lazarus sulmoi kompaninë Sony Pictures.
Sulmi lidhej me publikimin e filmit satirik “The Interview”, me protagonistë Seth Rogen dhe James Franco, i cili paraqiste një komplot imagjinar për eliminimin e Kim Jong-un.
Hakerët dëmtuan sistemet informatike të kompanisë dhe publikuan në internet dokumente konfidenciale, email-e të drejtuesve të lartë dhe filma që nuk kishin dalë ende në qarkullim.
Dy vite më vonë, objektivi ndryshoi. Këtë herë në shënjestër ishte sistemi financiar.
Në vitin 2016, hakerët sulmuan Bankën Qendrore të Bangladeshit, me synimin për të përvetësuar afro një miliard dollarë. Edhe pse shumica e transfertave të dyshimta u bllokuan, autorët arritën të merrnin 81 milionë dollarë.
Me shtrëngimin e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Koresë së Veriut, kriptomonedhat u shndërruan në një tjetër mundësi për sigurimin e të ardhurave.
Sulmet u shtuan dhe objektivat u zgjeruan, duke përfshirë jo vetëm kompanitë e mëdha, por edhe punonjës individualë të sektorit të teknologjisë.
Në shkurt të vitit 2025, një tjetër operacion i atribuuar hakerëve koreanoveriorë goditi platformën Bybit, nga ku u vodhën kriptomonedha me vlerë 1.5 miliardë dollarë. Ndërsa më 29 tetor 2026, sulmi ndaj Binance vendosi një rekord të ri.
Rrjeti ndërkombëtar për pastrimin e parave
Vjedhja e kriptomonedhave është vetëm faza e parë e operacionit. Sfida kryesore për regjimin e Kim Jong-un është shndërrimi i aseteve dixhitale në para që mund të përdoren për blerje dhe financimin e aktiviteteve shtetërore.
Sipas analizës së CNN, për këtë qëllim përdoret një rrjet i gjerë transaksionesh dixhitale dhe ndërmjetësish financiarë, ku një pjesë e konsiderueshme e aktivitetit lidhet me Kinën.
Pas sulmit ndaj Binance, hetuesit ndërkombëtarë kanë gjurmuar mijëra transaksione, ndërsa hakerët janë përpjekur të fshehin origjinën e fondeve duke i transferuar ato përmes platformave dhe shërbimeve të ndryshme të kriptomonedhave.
Sipas Reuters, në këtë proces janë përdorur edhe shërbime si THORChain dhe platforma që përziejnë transaksionet për ta bërë më të vështirë gjurmimin e burimit të parave.
Më 12 nëntor, Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi masa ligjore për sekuestrimin dhe ngrirjen e më shumë se 1.2 miliardë dollarëve në kriptomonedha të lidhura me vjedhjen.
Ndërkohë, Nick Carlsen vlerëson se, pas humbjeve nga transaksionet dhe ndërhyrjeve të autoriteteve, Koreja e Veriut arrin të sigurojë përfundimisht rreth 75 deri në 85 për qind të shumës fillestare të vjedhur.
40% e financimit të armëve të shkatërrimit në masë vjen nga aktivitetet kibernetike
Përmasat e kësaj veprimtarie e kanë shndërruar ushtrinë e hakerëve të Koresë së Veriut në një shqetësim të drejtpërdrejtë për sigurinë ndërkombëtare.
Sipas një raporti të ekspertëve të Kombeve të Bashkuara, të publikuar në vitin 2024, aktivitetet e paligjshme kibernetike vlerësohet se gjenerojnë rreth 50 për qind të të ardhurave në valutë të huaj të vendit.
Edhe më shqetësues është vlerësimi i një shteti anëtar të paidentifikuar të OKB-së, sipas të cilit rreth 40 për qind e financimit për programet e armëve të shkatërrimit në masë të Koresë së Veriut sigurohet nga aktivitetet e paligjshme kibernetike.
Këto burime financiare i mundësojnë Phenianit të sigurojë lëndë të para, pajisje dhe furnizime për zhvillimin e arsenalit bërthamor dhe raketor, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare.
Analistët e lidhin këtë mekanizëm edhe me bashkëpunimin ushtarak të Koresë së Veriut me Rusinë, përmes të cilit Pheniani ka dërguar trupa, municione dhe komponentë armësh.
Michael Barnhart, studiues në kompaninë e sigurisë kibernetike DTEX, argumenton se vjedhjet e kriptomonedhave nuk duhen parë thjesht si humbje financiare për platformat e prekura, por si çështje të sigurisë kombëtare, për shkak të lidhjes së tyre me financimin e programeve ushtarake.
Shërbimet amerikane të sigurisë paralajmërojnë se përdorimi i inteligjencës artificiale mund t’i bëjë operacionet e hakerëve koreanoveriorë edhe më të sofistikuara.
Më 12 nëntor, FBI dhe Departamenti i Drejtësisë publikuan detaje për një operacion të koduar “FaceStealer”, përmes të cilit hakerët dyshohet se kanë përvetësuar kriptomonedha me vlerë mbi 400 milionë dollarë në mbarë botën, gjatë një periudhe 18-mujore.
Operacioni përfshinte takime të rreme online, vjedhje identitetesh dixhitale dhe përdorimin e videove të manipuluara me teknologjinë deepfake për të mashtruar punonjës dhe drejtues kompanish.
Përdorimi i inteligjencës artificiale e bën gjithnjë e më të vështirë identifikimin e mashtrimeve, edhe për personat me njohuri të avancuara teknologjike.
Për studiuesit e sigurisë kibernetike, shqetësimi tashmë nuk lidhet vetëm me shumat e përvetësuara deri më sot, por edhe me kapacitetet që regjimi i Phenianit mund të zhvillojë për sulmet e ardhshme.
Siç paralajmëron Carlsen, pas sulmit rekord ndaj Binance, është e vështirë të parashikohet se cili mund të jetë objektivi i radhës i ushtrisë kibernetike të Kim Jong-un.
