Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar pas incidenteve të dy ditëve të fundit gjatë protestave, ku punonjës të Policisë së Shtetit kanë sulmuar deputetët Erald Kapri dhe Kliti Hoti.

Ndërsa edhe dy protestues të tjerë ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.

Shehaj i ka kërkuar Prokurorisë së Posaçme (SPAK) të nisë menjëherë hetimet për të gjitha rastet, të sekuestrojë pamjet dhe komunikimet e policisë, si dhe të identifikojë efektivët e përfshirë dhe drejtuesit që dhanë urdhrat.

Reagimi i plotë i Agron Shehajt:

Nje protestues ndodhet ne gjendje kome ne rrezik per jetën,nderkohe qe nje tjeter rrezikon shikimin.

Dje, gjithashtu, një efektiv i Policisë së Shtetit e sulmoi pabesisht nga pas deputetin e Partisë Mundësia, Erald Kapri, duke i hedhur gaz në fytyrë, teksa ai përpiqej të mbronte disa të rinj që po goditeshin me shkopinj gome.

Sot, policia qëlloi me plumb gome një tjetër deputet, Kliti Hotin, pranë shtyllës kurrizore. Ai nuk po sulmonte askënd. Një goditje në atë zonë mund të kishte pasoja të përhershme.

Prokuroria e Posaçme duhet të hapë menjëherë hetim për të gjitha rastet, të sekuestrojë pamjet dhe komunikimet e policisë dhe të identifikojë efektivët e përfshirë dhe drejtuesit që dhanë urdhrat.

Kur policia guxon të godasë dy deputetë para kamerave, e mendoni çfarë i bën një qytetari pas dyerve të komisariatit?

Koha për të dhënë llogari. Përgjegjësit para drejtësisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb