Dhuna ndaj grave në Gjermani ka arritur nivele rekord, pavarësisht se kriminaliteti në tërësi nuk ka shënuar rritje të ndjeshme.
Shifrat e publikuara këtë javë tregojnë se rreth 280 mijë persona u bënë viktima të dhunës në familje gjatë vitit të kaluar, shtatë në dhjetë prej të cilëve gra dhe vajza. Ndërkohë, 342 gra dhe vajza u vranë, duke nxitur edhe një reagim të pazakontë në Bundestag, ku deputetët mbajtën një minutë heshtje për secilën viktimë.
Përballë kësaj situate, autoritetet gjermane po shqyrtojnë masa të reja për mbrojtjen e grave, përfshirë përdorimin e prangave elektronike për autorët e dhunës dhe ndryshime në Kodin Penal për dënimin e femicideve. Për të kuptuar më shumë mbi shifrat, reagimet dhe ndryshimet ligjore që po diskutohen në Gjermani, News24 foli me gazetarin e DW, Auron Dodi.
News24: Këtë javë Gjermania publikoi shifra që shënojnë një nivel rekord: dhuna ndaj femrave po rritet, megjithëse kriminaliteti në tërësi nuk është rritur.
Jam lidhur tani në Gjermani me Auron Dodin, në DW.
Auron, përshëndetje.
Në Bundestag ndodhi të mërkurën një veprim i pazakontë: seanca plenare përkujtoi viktimat e femicideve. Pse u bë e nevojshme kjo?
A.Dodi: Me këtë akt deputetët deshën të tërhiqnin vëmendjen, sepse vetëm përmendja e shifrave mbetet abstrakte. Presidentja e Bundestagut, Julia Klöckner, e veshur me një bluzë portokalli, në ngjyrën e Orange Day, siç u quajt kjo ditë në Gjermani u kërkoi deputetëve të ngriheshin në këmbë — „në kujtim të viktimave të femicideve“. Ajo pastaj bëri një llogari: nga një minutë për secilën, prej 342 femrave dhe vajzave të vrara vitin e kaluar në Gjermani, do të ishte e barabartë me pesë orë e 42 minuta heshtje, në sallën e Bundestagut. Më tej, Presidentja e Bundestagut u bëri thirrje femrave që përvojat e tyre me dhunën „të mos i mbajnë të fshehta, por të flasin për to“.
Me rastin e „Orange Day“, qindra persona protestuan kundër dhunës me bazë gjinore dhe femicideve të mërkurën (25.11.) në Berlin, në Bonn, Frankfurt mbi Main, në Bielefeld e Lajpcig. Këtë javë, kjo është temë e pranishme kudo në Gjermani.
News24: Ishin tre ministri federale dhe Policia Kriminale Federale që i paraqitën bashkë shifrat për dhunën ndaj femrave të martën në Berlin. Çfarë tregojnë shifrat?
A.Dodi: Tregojnë numrin më të lartë të viktimave të dhunës në familje, të regjistruar ndonjëherë. Rreth 280 mijë persona u bënë vitin e kaluar viktima të dhunës brenda shtëpisë së tyre – shtatë në dhjetë prej tyre ishin gra dhe vajza.
Kjo në një kohë kur kriminaliteti i përgjithshëm në Gjermani nuk ka ndryshuar ndjeshëm ose ka mbetur në vend. Kurse dhuna ndaj femrave po rritet.
Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, e quajti motivin e kësaj dhune si sundim mbi tjetrin. Ai tha se „bëhet fjalë për ushtrim pushteti, bëhet fjalë për vendosjen nën kontroll“ të viktimave.
Zëvendëspresidentja e Policisë Kriminale Federale, Martina Link, kujtoi se: „Dhuna ndaj femrave nuk është çështje private.“ Kjo në një kohë kur denoncohet vetëm një pjesë e vogël e akteve — 5 deri në 10 për qind.
News24: Çfarë ka ndërmarrë shteti gjerman?
A.Dodi: Ka masa të ndryshme. Ekziston tashmë një aplikacion i maskuar për celularët, me të cilin një femër e dokumenton dhunën në celularin e saj pa u dukur asgjë.
Ekziston edhe një ligj për ndihmën në rast dhune, që i detyron landet të financojnë mbrojtjen dhe këshillimin e viktimave.
E vendosur, por ende jo në fuqi, është pranga elektronike për autorët e dhunës. Është parashikuar që gjykatat e familjes ta marrin detyrimisht parasysh dhunën ndaj nënës, kur vendosin për fëmijën — deri sot nuk e kanë pasur këtë detyrim.
News24: Ku janë nevojat më të mëdha, ku duhet të punohet më shumë?
A.Dodi: Ministrja e Familjes, Karin Prien, që mbulon edhe arsimin, tha qartë se në fund nevojitet „një ndryshim në mendjet e njerëzve, sidomos te meshkujt“.
Prandaj ajo do të intensifikojë punën në shkolla. Ato duhet të bëhen vendi kryesor i parandalimit, sepse autorët dhe viktimat janë gjithnjë e më shumë të rinj.
Nga ato që mungojnë praktikisht janë më shumë strehimore për femra e personel; ka komisariate policie të specializuara për dhunën ndaj femrave, të policisë federale (landet kanë strukturat e tyre) si në Këln dhe Berlin, por nevojiten më shumë të tilla.
News24: Ministrja gjermane e Drejtësisë ka kërkuar që femicidet të dënohen gjithmonë si vrasje në rrethana të cilësuara apo vrasje të rënda, si „Mord“- në gjermanisht. Do të thotë kjo që vrasja e femrave në Gjermani, sot nuk cilësohet si „vrasje e cilësuar“ dhe nuk merr dënimin më të rëndë?
A.Dodi: Sot shpesh jo. Padyshim që në rastin e vrasjeve, në thelb, kemi të bëjmë me një vepër të vetme: dikush vret me dashje një njeri. Por cilësimi që i vihet vrasjes ndikon masën e dënimit. Për ta kuptuar si trajtohet kjo në Gjermani, le të krahasojmë shkurt Kodin Penal të Gjermanisë me të Shqipërisë.
Në Gjermani rasti bazë quhet „Totschlag“ — te ju „vrasje me dashje“ — dënohet me të paktën pesë vjet.
Kur „Totschlag“-ut („vrasjes me dashje“) i shtohet diçka, e njëjta vepër në Gjermani quhet „Mord“ (i përgjigjet „vrasje me rrethana të cilësuara“ si koncept i përgjithshëm në Shqipëri). Dhe atëherë është i detyrueshëm burgimi i përjetshëm.
Ajo që shtohet ndodhet në një listë të mbyllur me nëntë pika: lakmia për para, mizoria, tinëzia, motivet e dobëta etj. Kur rasti nuk ndodhet atë listë, mbetet „Totschlag“ (vrasje me dashje.)
Kurse në Shqipëri për formën e rëndë të vrasjes nuk ka listë, por shtatë nene të veçanta — me paramendim, për gjakmarrje, për shkak të marrëdhënieve familjare.
News24: Dhe në se konsiston saktësisht ndryshimi që do të bëjë Gjermania?
A.Dodi: Ndryshimi ligjor prek një term të vetëm, por me pasoja në masën e dënimit: motivet e dobëta.
Deri sot gjykata vendos rast pas rasti — kur mashkulli vret nga mendësia e pronësisë, shpesh cilësohet “Mord” (“vrasje e cilësuar”); kur gjykata gjermane sheh xhelozi ose dëshpërim, akti mbetet “Totschlag” (vrasje me dashje), me dënim më të butë, dhe mediet flasin për shembull për dramë familjare.
Ministrja e Drejtësisë, Stefanie Hubig tani do që motivet për shkak të gjinisë të shkruhen shprehimisht në ligj: kush vret një femër, sepse ajo dëshiron të ndahet prej tij, „duhet të dënohet si vrasës (i rëndë), i cilësuar“. Projektligji është gati dhe pritet të kalojë në qeveri.
Shqipëria, në fakt ka që nga viti 2013, një nen të veçantë për “vrasjen për shkak të marrëdhënieve familjare” — neni 79/c. Dënimi është jo më pak se njëzet vjet deri në burgim të përjetshëm — dispozita është neutrale ndaj gjinisë.
Femicidin, si figurë të veçantë penale, nuk e njeh as e drejta shqiptare; Avokati i Popullit rekomandon prej vitesh ta parashikojë.
