Partia Popullore (PP) ka shpallur fitoren në zgjedhjet parlamentare në Spanjë, ndërsa rezultatet paraprake tregojnë se forcat e djathta janë drejt sigurimit të shumicës në Kuvend. Me mbi 84% të votave të numëruara, PP kryeson me 133 mandate, e ndjekur nga socialistët e Pedro Sánchez me 117 vende, ndërsa partia e ekstremit të djathtë Vox ka siguruar 51 mandate.

Partia Popullore ka reaguar përmes një mesazhi në rrjetin social X, ku pretendon se ka fituar zgjedhjet dhe se kreu i saj, Alberto Núñez Feijóo, do të jetë kryeministri i ardhshëm i Spanjës.

“PP do të fitojë zgjedhjet dhe Alberto Núñez Feijóo do të jetë kryeministër i Spanjës”, thuhet në deklaratën e publikuar në llogarinë zyrtare të partisë.

Rezultatet paraprake tregojnë se bashkimi i mandateve të PP-së dhe Vox mund t’u sigurojë forcave të djathta shumicën parlamentare, duke hapur rrugën për formimin e një qeverie të re. Megjithatë, deri më tani nuk është konfirmuar zyrtarisht asnjë marrëveshje koalicioni mes dy partive.

Gjatë fushatës, as PP dhe as Vox nuk kanë deklaruar një marrëveshje konkrete për bashkëqeverisje. Megjithatë, të dyja forcat kanë bashkëpunuar më parë në katër rajone të Spanjës, ku qeverisin përmes koalicioneve.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Kreu i PP-së, Alberto Núñez Feijóo, kishte deklaruar më herët se, në rast se do t’i duhej të negocionte me Vox për formimin e qeverisë, do të vendoste disa “vija të kuqe”, veçanërisht për çështjet e organizimit të shtetit, barazisë dhe të drejtave.

Nëse konfirmohet shumica parlamentare dhe arrihet një marrëveshje mes dy partive, kjo do të shënonte rikthimin e një force të së djathtës ekstreme në pushtetin qendror në Spanjë, për herë të parë që prej përfundimit të diktaturës së Francisco Francos.

Ndërkohë, kryeministri aktual Pedro Sánchez, në pushtet që prej vitit 2018, përballet me mundësinë e humbjes së qeverisë pas këtij rezultati zgjedhor. Ai e kishte përqendruar fushatën te drejtësia sociale, shërbimet publike dhe zhvillimi ekonomik, ndërsa qeveria e tij është përballur edhe me çështje korrupsioni.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: