TIRANE- Partia Demokratike, nëpërmjet deputetes Albina Deda i kërkon Ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli të bëjë transparencë mbi rastin e majorit të Forcave të Armatosura të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge.

“Kjo është një çështje e rëndësisë publike, ka të bëjë me sigurinë kombëtare, dhe nuk mund të trajtohet nga Edi Rama apo zonja Kodheli si punë e tyre personale. Kur një major, nga më të besuarit siç pranohet zyrtarisht, përfshihet në trafik ndërkombëtar droge, një ministre nuk mund të fshihet e të bëjë arroganten”, tha ajo.

Ndërsa i kërkon prokurorisë të nisë një hetim të plotë për zbardhjen e ngjarjes, Deda tha se PD do kërkojë një interpelancë edhe me ministren Kodheli.

“Si ka mundësi që shërbimi informativ i ushtrisë, apo strukturat e tjera monitoruese nuk kanë informacion për oficerët me detyra kaq delikate sa majori në fjalë, i cili ishte një nga pilotët e besuar të flotës tonë ajrore? Si mund të rekrutohet majori i besuar nga trafikantët ndërkombëtarë të drogës? Të dhënat tregojnë se majori ka hyrë dhe ka dalë 6 herë nga vendi gjatë vitit të fundit deri para pak ditësh kur ndodhi ngjarja në Spanjë. A ka të dhëna Ministria e Mbrojtjes, se ku shkojnë oficerët, dhe me çfarë aktiviteti merren kur janë jashtë shtetit për specializim? A është ai i vetmi oficer që ka kryer këtë aktivitet, dhe a kanë dijeni eprorët për këto raste? Ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe janë bërë shumë reforma e përpjekje për arritjen e standarteve në këtë sektor në shumë vite. Por me Edi Ramën ka vetëm kthim mbrapa. Fabrika kokaine e shndërrimi i vendit në Kolumbi të Europës. Pak kohë më parë, u zbulua se insfrastruktura e mbrojtjes ishte përdorur për trafik droge. Në fillim Edi Rama dhe Ilir Meta u tallën dhe i quajtën avionët e narkotrafikut mushkonja, por më pas të dhënat treguan përdorimin kriminal të Gjadrit dhe pikave të tjera dhe qeveria u detyrua nga presioni publik e qytetar të mbyllë aerodromet. Rasti i majorit të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge është një tjetër dëshmi që tregon se ku ka përfunduar integriteti i forcave tona të armatosura. Duhet transparencë e plotë dhe e menjëhershme për rastin. Duhet llogaridhënie deri në pikën e fundit. Partia Demokratike do të vërë në lëvizje çdo mjet derisa kjo ngjarje të zbardhet e të dalin të gjithë përgjegjësit e përgjegjësitë për implikimin skandaloz të forcave të armatosura në trafik ndërkombëtar droge”, përfundon deklarata.

(ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb