TIRANE-“Krimi në landifllin e Erion Veliajt e ka origjinën në një skemë të pastër korrupsioni e paligjshmërie. E gjitha nisi në maj të këtij viti, kur Veliaj kaloi në Këshill Bashkiak ndërmarrjen Eco-Tirana”. Keshtu e nis deklaraten Partia Demokratike, qe me anë të Sekretares për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma ka akuzuar kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj si përgjegjës kryesor të vdekjes së 17-vjeçarit në landfillin e Sharrës. Sipas Dumës, Erion Veliaj ka shkelur vendimin e Këshillit Bashkiak duke mos e caktuar administratorin ekzekutiv. Kjo thote ajo, “e bën atë direkt përgjegjës, ose pas vdekjes së Arditit dhe zbulimit të paligjshmërisë së madhe atje, e kanë fshirë, e kanë zhdukur emrin e administratorit nga faqja e QKR”.

Deklarata e plotë

Krimi në landifllin e Erion Veliajt e ka origjinën në një skemë të pastër korrupsioni e paligjshmërie. E gjitha nisi në maj të këtij viti, kur Veliaj kaloi në Këshill Bashkiak ndërmarrjen Eco-Tirana.

Pa garë, pa konkurrencë, ai i dha një kompanie italiane 49 për qind të aksioneve, ndërkohë që vetë mbajti 51 për qind të saj. E bëri firmën italiane pronare të mbetjeve të Tiranës, dhe i dha asaj ekskluzivitetin e tregtimit, riciklimit dhe përfitimit prej kësaj industrie.

Dhe për më tepër, Erion Veliaj, vendosi t’i dhurojë edhe 2.5 milionë euro vetëm vitin e parë. Shumë që sipas planit të miratuar do të rritet nga viti në vit. Të gjitha këto janë një grumbull me shkelje të Erion Veliajt.

Por më e rënda është se ende sot që flasim, edhe pse firma e tij ka nisur punimet, nuk rezulton zyrtarisht një administrator përgjegjës për landfillin, pra personi që është përgjegjës për sigurinë dhe respektimin e kodit të punës. Kjo vërtetohet nga një kërkim i thjeshtë që bëhet në faqen e QKR. Siç mund ta shihni në ekran, tabela e administratorit ekzekutiv është pa emër.

Aktet e kaluara në Këshill, bëjnë direkt përgjegjës Erion Veliajn, i cili është i ngarkuar për caktimin e administratorit, sipas pikës 5 të vendimit të këshillit Bashkiak. Ja ku është vendimi. Dy janë mundësitë.

Ose Erion Veliaj ka shkelur vendimin e Këshillit Bashkiak duke mos e caktuar administratorin ekzekutiv, gjë që në këtë rast e bën atë direkt përgjegjës, ose pas vdekjes së Arditit dhe zbulimit të paligjshmërisë së madhe atje, e kanë fshirë, e kanë zhdukur emrin e administratorit nga faqja e QKR.

Këto fakte e nxjerrin direkt përgjegjës Erjon Veliajn, për paligjshmërinë e landifllit, për atë aferë krimi e korrupsioni që mori jetën e Arditit. Këto fakte e nxjerrin direkt përgjegjës Erion Veliajn për shfrytëzimin e të miturve e mosrespektimin e normave të sigurisë dhe Kodit të Punës.

Ështe kjo arsyeja pse ai hesht, i fshihet kësaj ngjarjeve, është kjo arsyeja pse censuron median.

Ai po bën gjithçka për ta mbyllur këtë histori krimi dhe korrupsioni. Përse nuk heton Prokuroria? Pas këtyre fakteve, institucioni i akuzës është në detyrimin të nisë ndjekjen penale ndaj Erion Veliajt?

Përse Erion Veliaj qëndron mbi ligjin? Kush e ndalon ligjin të funksionojë në këtë rast? Pse paska imunitet Erion Veliaj i kapur në krim dhe korrupsion, kur ai në të vërtetë ka përgjegjësi direkte ligjore e administrative për vdekjen e Arditit.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: