Të tjera detaje zbulohen rreth futbollistëve me origjinë shqiptare që kanë tentuar t’i bashkohen Përfaqësueses së Kosovës.

Një ditë më parë Federata Zvicerane e Futbollit publikoi listën e lojtarëve që do të luajnë në eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”, duke shuar shpresat e zyrtarëve të Kosovës për afrime të reja, pasi lojtarët me origjinë shqiptare ishin pjesë e 23 futbollistëve të thirrur.

Ndërsa sot mediat e Kosovës shkruajnë se dy futbollistët Shani Tarashaj dhe Xherdan Shaqiri kishin shfaqur dëshirën për të luajtur për Kosovën, por FIFA nuk u dha ‘dritën jeshile’.

“Shaniu kishte dëshirë të madhe të luante për Kosovën, ai ishte në gjendje të bënte çdo gjë për ta bërë ëndrrën realitet dhe këtë e dinë më mirë edhe FFK dhe trajneri Bunjaku. Por vendimi i FIFA-s ishte që ai nuk mund ta ndërrojë përfaqësuesen e Kosovës pasi ka luajtur ndeshje zyrtare me Zvicrën pas pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA”,-ka deklaruar për ‘Telegrafin’ një burim brenda FFK-së.

Gazeta citon një tjetër burim dhe thotë se përveç Tarashajt ishte edhe Shaqiri ai që nuk mori lejen e FIFA-s për të shkuar te Kosova.

Më herët, nga Kombëtarja shqiptare e futbollit drejt Përfaqësueses së Kosovës ikën kuqezinjtë si: Rashica, Shala, Meha dhe Rrahmani.
(er.nu/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: