TIRANE – Demokratët kanë depozituar në kuvend amendamentet për ligjin e vetingut, pavarësisht se ky i fundit u miratua vetëm me votat e mazhorancës në komisionin e reformës në 23 gusht.

Grupi i ekspertëve të PD-së ka përgatitur amendimet për secilin prej 66 neneve të këtij drafti, që vendos normat se si do të kontrollohen gjyqtarët dhe prokurorët në pasuritë apo figurën e tyre.

PD thekson se: “amendamentet e paraqitura nga deputetët e opozitës për nenet 1-25, synonin garantimin e: (i) përputhshmërisë së plotë të projektligjit me Kushtetutën, opinionet e Komisionit të Venecias dhe standardet ndërkombëtare; (ii) llogaridhënien, pavarësinë, efiçencën, shpejtësinë dhe saktësinë në ushtrimin e funksionit nga organet e rivlerësimit; (iii) respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut; (iv) përmbushjen e urdhërimeve të kushtetutë/bërësit, që ka ngarkuar ligjvënësin me rregullimin e plotë, të detajuar dhe të saktë të të gjithë procedurës së rivlerësimit; (v) transparencën e procedurës së përzgjedhjes së funksionarëve të organeve të rivlerësimit; (vi) plotësimin e përmbajtjes së projekt/ligjit, si dhe përmirësimin dhe qartësinë e tij, në funksion të garantimit të parimit të sigurisë juridike dhe standardeve të shtetit të së drejtës’.

Sipas PD-së, versioni i projekt/ligjit i miratuar nga mazhoranca parlamentare në Komisionin e Posaçëm, paraqet probleme të thella të përputhshmërisë me Kushtetutën.

[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2016/08/AMENDAMENTE-FINALE-PER-NENET-26-67-TE-LIGJIT-TE-VETTINGUT.docx” viewer=”microsoft”]

Por askush në PD nuk mund të pohojë me siguri se do të ketë negociata me PS-në para seancës së jashtëzakonshme të 30 gushtit. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e majtë nuk kanë marrë asnjë material të ri nga PD-ja për çështjen e vetingut, duke lënë të hapur mundësinë se ato do të rrëzohen në seancën e së martës.

Ligji “Për Rivlerësimin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”, i miratuar pak ditë më parë në mënyrë të njëanshme në komisionin e posaçëm parlamentar dhe që pritet në të njëjtën mënyrë të kalojë edhe në seancën e jashtëzakonshme të 30 gushtit, rrezikon të kthehet në nul që do mbajë pezull implementimin e reformës në drejtësi.

Nënkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi paralajmëroi se “çdo instrument i nevojshëm për të garantuar që ky ligj përputhet dhe nuk shmanget nga vullneti konsensual i 21 korrikut, çdo hap i nevojshëm do të ndërmerret. Ky ligj sot devijon rëndë nga Kushtetuta e miratuar në 22 korrik”. Por mësohet se opozita ende nuk ka një vendim zyrtar nëse këtë deklaratë do ta materializojë me padi konkrete. Mësohet se roli aktiv në ligj i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Drejtorisë së Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, është në kundërshtim me Kushtetutën e re.

Gjithashtu, demokratët vlerësojnë se në ligj nuk është detajuar dhe procedura e përzgjedhjes së anëtarëve të komisioneve që do kryejnë rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ndryshe nga sa sanksionohet në Kushtetutën e re, demokratët pretendojnë se ligji nuk përcakton afate dhe rregulla të qarta në procesin e rivlerësimit, duke krijuar mundësinë e një procesi selektiv.

Gjithashtu, ekspertët e PD-së pretendojë se mjaft dispozita të ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve cenojnë të drejtat e njeriut, por dhe bien ndesh me Konventën Europiane të të Drejtave të njeriut. Dhe nëse ligji mbetet siç është dhe vërejtjet e opozitës dhe të grupeve të interesit nuk merren në konsideratë, gjë që ka shumë pak gjasa të ndodhë, rruga drejt Gjykatës Kushtetuese e ligjit për vlerësimin mbetet e hapur. Kjo do ta ndërlikonte edhe më shumë zbatimin e reformës në drejtësi, pasi gjykata mund ta lërë në fuqi, por edhe mund ta rrëzojë, dhe kjo e dyta mund të sillte pasoja të rënda sa u përket afateve të ngritjes së institucioneve të reja, dhe për pasojë zbatimit të reformës.
(er.nu/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb