VLORE – “Më shumë se fitore kundër bimëve narkotike, territorit dhe kultivuesve, kemi fituar përfundimisht luftën me të shkuarën.” Kështu deklaroi ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ndoqi një operacion antikanabis të policisë në zonën e Tragjasit në Vlorë, i shoqëruar nga gazetari i “The Economist”, Tim Judah.

Në përfundim të operacionit, ku u asgjësuan 2700 rrënjë kanabis, ministri Tahiri shkroi në faqen e tij në “Facebook”, se “sot nuk ka më të paprekshëm, nuk ka cm2 territor ku policia nuk ndërhyn, nuk ka më kultivues dhe kriminelë më imunitetit të çdolloji”.

“Me Tim Judah nga “The Economist” duke asistuar në një nga operacionet e përditshme të Policisë kundër kultivimit të kanabisit. Më shumë se fitore kundër bimëve, territorit dhe kultivuesve, kemi fituar përfundimisht luftën me të shkuarën. Sot nuk ka më të paprekshëm, nuk ka cm2 territor ku policia nuk ndërhyn, nuk ka më kultivues dhe kriminelë me imunitetit të çdolloji. Jam shumë i ndërgjegjshëm që ka ende shumë për të bërë, ndaj mirëkuptoj cilindo që pret më shumë prej nesh. Shumë kemi bërë dhe shumë kemi për të bërë. Jemi në rrugën e duhur për të ndërtuar Shqipërinë e gjeneratës së të ardhmes me Policinë e gjeneratës së të ardhmes.”- shkruan ministri Tahiri.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb