Nga: ERMELINDA HOXHAJ
TIRANE – Shkolla e Mesme Profesionale e Kamzës për pranimet në vitin e ri shkollor 2016-2017 ka ndryshuar rregullat. Si rrallëherë, në këtë shkollë profesionale është përcaktuar si kriter për regjistrimin e nxënësve mesatarja 8.5. Pyetja është: A rritet cilësia me kriterin e notës mesatare të lartë, apo është thjesht një tjetër sprovë që po kalon arsimi profesional? Shumëkujt do t’i lindte sërish pyetja: A ka rezultate më të mira arsimi profesional që prej kalimit në varësi të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë? Faktikisht, faktet flasin, dhe janë pikërisht rezultatet e provimeve të maturës të cilat dëshmojnë se në dy vitet e fundit, nxënësit e shkollave profesionale kanë rezultate të dobëta. Ndërsa për ish-ministrin e Arsimit, Myqerem Tafaj, kriteri i mesatares në shkollën profesionale të Kamzës është një goditje politike. “Qeveria po godet Shkollën e Mesme Profesionale Kamëz dhe po vret shpresën e fëmijëve të kësaj zone për shkollim profesional”, – shprehet Tafaj në lidhje me kriteret e reja të regjistrimeve në shkollën profesionale të Kamzës.

Regjistrimi & kriteret
Viti i ri shkollor për arsimin parauniversitar, përfshi dhe arsimin profesional, do të startojë të martën e 13 shtatorit. Në Shkollën e Mesme Profesionale të Kamzës vijojnë regjistrimet, por shumë nxënës në këtë shkollë nuk do kenë mundësi të regjistrohen për shkak të kriterit të notës mesatare, e cila varion nga 6 në 8.5. Sipas njoftimit të Shkollës së Mesme Profesionale Kamëz, për programin Teknologji Informimi dhe Komunikimi, mesatarja e shkollës 9-vejçare duhet të jetë është 8.5; për Shërbim Social Shëndetësor, mesatarja e nxënësve që do regjistrohen duhet të jetë 8. Në dy programet, Shërbim Mjetesh Transporti dhe Hoteleri-Turizëm për nxënësit e vitit të parë kërkohet mesatarja 7. Mesataren më të ulët, 6, e ka profili Bujqësi. Faktikisht, në ligjin e arsimit profesional nuk përcaktohet asnjë kriter i tillë. “Në shkollat profesionale pranohen të gjithë individët që kanë përfunduar arsimin bazë dhe kanë marrë dëftesën e lirimit. Kriteret e pranimeve dhe procedurat e regjistrimit vendosen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për çështjet e arsimit dhe ministrit përgjegjës për çështjet sociale”, përcaktohet në pikën 1 të nenit 10. “GSH” u interesua edhe pranë MMSR-së për udhëzimin i cili përcakton kriteret e reja të pranimit, por nuk mori asnjë përgjigje. Kjo shkollë është e para shkollë e mesme profesionale së cilës i është miratuar në vitin 2013 edhe statusi i Qendrës Shumëfunksionale të Arsimit dhe Formimit Profesional, pra që ka të drejtë të ofrojë edhe kurse të shkurtra të formimit profesional për punëkërkues të moshave të ndryshme. Kjo shkollë mbështetet, që nga viti 2010, nga qeveria gjermane. Gjithashtu, BE-ja ka ndërtuar në vitin 2012 një godinë të re të standardeve europiane për këtë shkollë.

Reagimi
Në lidhje me këtë kriter pranimi në Shkollën e Mesme Profesionale të Kamzës ka reaguar edhe deputeti i PD-së, ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. “Kritere të tilla kufizuese për pranimet në arsimin profesional tregojnë se, premtimet e kësaj qeverie për nxitjen e të rinjve që të ndjekin arsimin profesional janë thjesht mashtrime për qytetarët. Ligji në fuqi nuk parashikon një kufizim të tillë absurd. Përse paskan të drejtë vetëm nxënësit që kanë notë mesatare mbi 8 të ndjekin degën e Teknologjisë së Informacionit apo të Shërbimit Social, ndërkohë që ato janë ndër profesionet më të kërkuara në tregun e punës? Po nxënësit 15-vjeçarë me notë më të ulët, nuk paskan të drejtë të mësojnë një profesion, për t’u punësuar dhe për të jetuar më mirë?! Ku do të shkojnë këta nxënës nëse nuk pranohen në shkollën e mesme?! T’i drejtohen rrugës apo të largohen nga vendi? Apo t’u drejtohen shkollave të mesme private, kur ndoshta familjet e tyre jetojnë me ndihmë ekonomike? Kjo është arrogancë dhe papërgjegjshmëri e skajshme e kësaj qeverie!” ka reaguar Myqerem Tafaj nëpërmjet një postimi në faqen e tij zyrtare në “Facebook”. Sipas tij, kjo shkollë është ndër më të kërkuarat nga nxënësit e Kamzës, Paskuqanit, Vorës, Kasharit, Fushë-Krujës, Dajtit dhe disa fshatrave të Tiranës, pra nga një zonë me popullsi rreth 200 mijë banorë. “U bëj thirrje Bordit dhe Këshillit të Mësuesve të kësaj shkolle të kundërshtojnë zbatimin e këtyre vendimeve diskriminuese dhe shkatërruese, dhe të mbrojnë me vendosmëri interesat e nxënësve që kërkojnë të regjistrohen”, apelon ish-ministri Tafaj.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb