TIRANE – Ministri i Financave, Arben Ahmetaj thekson se vendimi i Bordit të FMN-së për rishikimin e tetë të programit me qeverinë shqiptare, konfirmon plotësimin e të gjitha kritereve të performancës të vendosura në program.

Në një status në faqen e tij në “Facebook”, ministri Ahmetaj shkruan se ky vendim i FMN-së është “një tjetër argument i qartë për suksesin e programit të rimëkëmbjes së ekonomisë dhe konsolidimit fiskal në Shqipëri, një tjetër përgjigje e merituar për ata që nuk heqin dorë nga një skenar grek për vendin.”

STATUSI I PLOTE I MINISTRIT AHMETAJ
“Sërish lajm i mirë për ekonominë shqiptare dhe një përgjigje e merituar për “kukuvajkat” që dëshirojnë vetëm skenarë të zinj për ekonominë e vendit.
Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar miratoi sot rishikimin e tetë të programit me Qeverinë shqiptare duke konfirmuar edhe njëherë plotësimin e të gjithë kritereve të performancës të vendosura në program.

“Rimëkëmbja ekonomike po përforcohet, e mbështetur nga investimet dhe konsumi. Një progres i mirë është bërë me axhendën e reformave strukturore. Inflacioni po rimëkëmbet nga nivelet e ulëta të fillim-vitit ndërsa strategjia e qeverisë për zgjerimin e bazës së taksapaguesve, rritja e pajtueshmërisë së publikut për pagimin e taksave dhe përmirësimi i administratës do të ndihmojnë në uljen e nivelit të borxhit duke krijuar edhe më shumë hapësirë për shpenzime publike produktive” – thuhet në deklaratën e FMN.
Një tjetër certifikim i performancës, një tjetër argument i qartë për suksesin e programit të rimëkëmbjes së ekonomisë dhe konsolidimit fiskal në Shqipëri, një tjetër përgjigje e merituar për ata që nuk heqin dorë nga një skenar grek për vendin.”

BORDI EKZEKUTIV I FMN-SË MIRATOI KËSTIN E TETË PREJ 35.9 MILIONË EURO
Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) përfundoi rishikimin e kestit te tetë të ecurisë ekonomike të Shqipërisë sipas marrëveshjes (EFF).
Sipas njoftimit zyrtar Të Fondit Monetar Ndërkombëtar, FMN, përfundimi i rishikimit mundëson lëvrimin e menjëhershëm të rreth 35.9 milione eurove, duke çuar disbursimet totale sipas marrëveshjes në rreth 298,3 milione euro. FMN njoftoi se vendimi u mor pas një takimi formal.
FMN thotë se kriteret e performancës janë plotësuar dhe se është arritur progres i mirë në axhendën e reformave strukturore.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb