TIRANE- Momentet e vështira të Gramoz Ruçit para 20 vitesh, kur iu desh të ikë si refugjat ekonomik në Greqi, rikthehen në vëmendjen e publikut. Një nga figurat më të rëndësishme në PS tregon vuajtjet e tij si emigrant por edhe ato të familjes së tij, bashkë me një episod ku bashkëshortes i kanë vendosur koburen tek koka.

Ruçi thotë se pjesëtarët e SHIK-ut e kanë ndaluar familjen e tij në Lushnje. “I nxorën në mes të rrugës me duart lart. Nisën t’i kontrollonin në trup. Pastaj i morën forcërisht dhe i futën në furgon.

Ai trego se gruan e kanë ndarë nga pjesa tjetër e familjes duke e vendosur në një makinë private. “Dikush nga Shërbimi Informativ Kombëtar, një oficer nga Lushnja po e kërcënonte me kobure në dorë: Do të të hedh trutë në erë po futu në makinë”,- tregon Ruçi.

Sekretari i Përgjithshëm i Parisë Socialiste, Gramoz Ruci tregon për herë të parë versionin e saktë të largimit nga Shqipëria në vitin 1996, kohë kur ruhej dhe survejohej nga oficerët e SHIK-ut të asaj kohe. Ruci tregon se ka dalë nga shtëpia me djalin e tij dhe më pas është nisur me një makinë drejt Jugut e për të kaluar kufirin me pasaportë diplomatike.

“Dola nga dera e shtëpisë sime dhe pastaj nga hyrja kryesore e pallatit. Nuk kam dalë i maskuar. Kam dalë si Gramoz. I vetmi dëshmitar dhe shoqërues ka qenë djali im dymbëdhjetëvjec. Isha i survejuar nga dymbëdhjetë shikas”.

Rrëfimi i Ruçit është pjesë e librit të Ylli Polovinës “Të jesh apo të mos jesh në PS” që ka në fokus ngjarjet e PS-së në 96, pjesë të së cilit janë botuar sot në Gazeta Panorama.

YLLI POLOVINA
IKJA E GRAMOZ RUÇIT NGA SHQIPËRIA

Sigurisht që unë u largova nga Shqipëria në kushtet e një depresioni shpirtëror. Pa familje, pa një bazë në vendin e huaj, ku jam dhe mbi të gjitha pa mjetet e dëshiruara financiare. Kam ikur ditën.
Dikush mendon që kam ikur natën, “ekspertiza” ka nxjerrë në Tiranë që unë kam dalë nga çatia e pallatit. “Ekspertët” e dashur nuk e kanë kuptuar dot se unë kam dalë nga dera dhe mu në mes të ditës. Dola nga dera e shtëpisë sime dhe pastaj nga hyrja kryesore e pallatit. Nuk kam dalë i maskuar.
Kam dalë si Gramoz. I vetmi dëshmitar dhe shoqërues ka qenë djali im dymbëdhjetë vjeç. Isha i survejuar nga dymbëdhjetë shikas. Si, qysh, tek?! Ata e kanë kryer shërbimin me shumë korrektesë, kishin mbi një muaj aty dhe kjo nuk ishte e lehtë. Duhet të përballonin vapën e qershorit dhe të korrikut, si ditën ashtu edhe në mërzinë e natës.

Nuk është punë e lehtë të përgjosh, të regjistrosh gjithçka, kush hyn e del, çfarë thuhet në shtëpi kush po i vjen e kush po i ikën, nga hyn e nga del. Sigurisht ishte një shërbim i padëshirë, por ata zbatonin detyrën.
Në PD duhet të kenë dalë përgjegjësitë përkatëse, por unë mendoj se survejuesit e mi nuk kanë përgjegjësi. Unë kam ikur në një ditë të shënuar. Ka qenë data tridhjetë. Atë ditë zhvillohej mbledhja eKëshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe mua nuk më mbanin dhjetë apo pesëmbëdhjetë shikas. Ata ishin ushtarë. Nuk më mbanin ata të izoluar. Mua më mbanin në atë gjendje tre­katër persona që ishin në institucionet shqiptare. Dhe tridhjeta ishte dita më e
shkujdesur e tyre, ishte dita që më jepte rrugë. Berisha mendonte se kush do t’i hakërrohej, nuk do t’i besonte një portofoli të ri, se kush do t’i hakërrohej do t’i hiqej portofoli që kishte. Ishte dita që nuk e kishin hallin e mendjen te Ruçi.
Mendohej se në këtë, një Musara, flitej në do të ishte apo jo më! Se ishte një Gazidede dhe ndihej më i sigurt, por edhe ai pyeste veten “apo punonte brenda strukturave të PD­së se kush do të ishte kundër vendimit të Njëshit të tyre! Ishte dita ku, nëse ishte një Sheh, për të gjitha ato bëma që kishte bërë në favor të Berishës, a do t’i vinin ato portofola, siç i mori më pas?! Ishte dita që ata, të cilët më mbanin mua të izoluar, nuk e kishin mendjen tek unë, ata mbase mendonin se edhe shefat që kishin urdhëruar për të më survejuar, do të ishin ata të mëparshmit apo edhe ata do të ndërroheshin. Edhe lart, te zyrat e mëdha të shtetit, edhe poshtë, te dera, dritarja apo edhe hyrja e pallatit, të gjithë nuk e kishin mendjen tek unë.

Në një çast të tillë jam larguar në mes të ditës. Kam dalë nga shtëpia me djalin gjer në një vend të caktuar të Tiranës. Aty më priste një mjet. Deri tek ajo makinë kam bërë disa çaste rrugë në këmbë. Nuk e kanë kuptuar dhe sigurisht as edhe më kanë ndjekur apo arritur. Atë shans do ta kishin po të më vinin re, kur dola nga pallati. Ndërsa unë po udhëtoja drejt jugut, SHIK­u vazhdoi i rregullt shërbimin gjer në të gdhirë të ditës tjetër. Alarmi i tyre filloi në mëngjes, në orën tetë, kur unë kisha orarin e daljes nga shtëpia. Ata kishin menduar se pasditen e tridhjetës unë nuk do të dilja për arsye se në darkë ishte finalja e Kampionatit Europian të futbollit.

Po atë ditë, pra më tridhjetë, kam dalë nga Shqipëria. Nuk kisha bërë asnjë plan, isha me pasaportë diplomatike, nuk kisha nevojë për vizë dhe asgjëkund mua nuk më ka dalë njeri për të më ndaluar. Sigurisht unë vetë nuk kam qëndruar rrugës, nuk kam dalë jashtë makinës që të thosha “unë po iki” dhe kam kaluar kështu nëpër të gjithë territorin e Shqipërisë.

Nuk ndalova në asnjë vend. Veç një mesazh e çova për gruan, që ajo të merrte vesh se ku do të shkoja dhe nëse do të arrija atje. Ajo e dinte që po ikja. E dinte edhe vajza. Dëshmitar i ikjes ishte vetëm djali. E përsëris për të kundërshtuar ato mendime, sipas të cilëve për të dalë jashtë kufirit mua më ka përcjellë ky apo ai person. Kanë shkuar akuzat e këtij lloji gjer aq sa gjoja më paskan ndihmuar deri edhe ish­ministra të Sali Berishës. Këto janë gjëra qesharake, janë bërë për larje hesapesh brenda njëri­tjetrit. Ika pa ditur se ku do të vija, pa pasur mjetet më elementare.

Dola jashtë kufirit dhe kisha vetëm një adresë. I bëra telefon dhe ai me dashamirësi më ofroi shtëpinë e tij, si emigrant shqiptar, me atë zemërgjerësinë e tyre karakteristike. Por kuptohet që këtu nuk mund të rrija gjatë. Të nesërmen kam dalë si çdo qytetar refugjat. Papritur jam gjetur përpara dy shqiptarëve, të cilët më njihnin dhe unë nuk i njihja. Mu drejtuan me fjalët “si je, si shkon”, iu përgjigja “mirë”. Sqarova që kam dy­tri ditë që kam ardhur. Më ftuan për një kafe, ishte humane që të ulesha me ta. Duke pirë kafe, pasi edhe u prezantova më mirë, doli se me njërin prej tyre lidheshim nëpërmjet fisit. Kështu krijova besimin që ky ishte njeri i mirë, pa ditur se çfarë bindjesh politike kishte. U thashë se në ç’kushte ndodhesha dhe se nuk isha me shërbim. Isha larguar përfundimisht nga Shqipëria.

Atëherë kur pa kushtet e mia më ofroi për një muaj shtëpinë e një vëllai të tij, i cili ishte me leje në Shqipëri. U futa në atë shtëpi e jetova me ato mjete, me të cilat mund të rregullohet një emigrant aty. Por nuk ishin këto gjërat më të rëndësishme. Për mua ishin dy gjëra kryesore. Ajo familje, ku po jetoja përkohësisht, kishte telefon dhe kjo gjë ishte ngushëllim i madh. Sigurisht që ky telefon ishte këtu, në këtë vend të huaj dhe kuptohet që nuk vëzhgohej.

Megjithatë, për mua pak rëndësi kishte nëse do të përgjohej apo jo. Isha mësuar me këto dhe e kam diskutuar në parlamentin e pas 22 marsit se telefonat tanë përgjoheshin si opozitë. Veprimtaria ime politike ka qenë legale në respektim të ligjit dhe nuk e çaj fort kokën se çfarë regjistronin në telefonatat e mia. Me atë telefon u lidha me gruan dhe me miqtë e mi të partisë, dy gjërat të cilat i quaja më kryesoret.

Kurse ardhja e gruas këtu ka qenë me shumë vështirësi.

Pesëmbëdhjetë ditë pas ikjes sime, terrori pranë familjes ka qenë i paskrupullt. Kudo ku shkonte gruaja, në koshin e plehrave, SHIK­u në koshin e plehrave. Edhe te njerëzit e dashamirësit e mi filloi survejimi. Aq sa ata u larguan, pikërisht në këto çaste që familja ime kishte nevojë për praninë e tyre. Të ndodhur para një rreziku shumë të qartë dhe ndërkohë që edhe miqtë na u larguan, familja mbeti vetëm.

Kulmi arriti që një natë shikasi për të kontrolluar vajzën dhe djalin tim, dy fëmijë, se ç’bënin në dhomën e gjumit, u qepet kangjellave për të arritur në katin e dytë. Mendonin se dy fëmijët po qeshnin e bënin shaka me mua se mos isha unë brenda.

Ç’do të bënte një grua, një vajzë dhe një fëmijë po qe se u qepet qoftë edhe një qytetar i zakonshëm nga dritarja në katin e dytë? Aq më tepër duke sharë dhe duke bërë presion. Përfytyroni: Vajza ime ishte me provime, nuk kishte njeri për ta shoqëruar gjer në shkollë.

Atëherë shkonte me të ëmën, e çonte dhe e priste sa të mbaronte provimi në fakultet. Duke e shoqëruar shikasit u vinin nga pas, me dhe pa makinë. Kontrollohej çdo gjë: do të shkonte vajza në provim apo do të blinte domate. I ndodhur përpara këtyre kushteve, i gjendur në shumë merak, sepse para së gjithash jemi familjare. Unë nuk mund të rrija duarkryq. Familja ime ishte pa mbrojtje. Kështu kërkova dhe insistova që familja të lëvizte për në Tepelenë. Aty janë njerëzit e mi, isha i bindur se në krahinën time qoftë edhe ekstremisti më i djathtë nuk do të merrej me gruan. Do të bëhej më në fund nisja nga Tirana drejt Tepelenës.

Çuditërisht, për ata që i ruanin, në orën tetë të mëngjesit shkuan për t’i marrë një makinë si edhe dy të tjera, që do t’i shoqëronin. Ishte vëllai i gruas dhe dy tre shokë e miq të mi. Shtangia për SHIK­un zgjati vetëm një çerek ore dhe ata u vunë menjëherë në ndjekje të gruas dhe dy fëmijëve…”. “Gruas dhe dy fëmijëve u organizohet pritja në qytetin e Lushnjës. Postblloku ishte i përforcuar sikur do të kapej një bandë kriminelësh. I nxorën në mes të rrugës me “Duart lart!”.

Nisën t’i kontrollonin në trup. Pastaj i morën forcërisht dhe i futën në furgon. Duke dhënë edhe urdhrin që “zonja të vendoset në një makinë tjetër”. E gjithë kjo po ndodhte në mes të rrugës, debati ishte i madh. Atëherë afrohet një polic dhe i thotë gruas: “Futu në makinën këtu”.

Ishte veturë private. Ndërkohë, dikush nga Shërbimi Informativ Kombëtar dhe pikërisht një oficer nga Lushnja, i veshur me antiplumb, po e kërcënonte me kobure në dorë: “Do të të hedh trutë në erë, po futu në makinë!”.

Atëherë ajo u fut në këtë makinë private, ku ishte edhe ai polici. Ky njeri dukej zemërmirë dhe i thotë “Mos u shqetëso moj zonjë, se diçka e madhe ka ndodhur. Është shqetësuar e gjithë qeveria. Ti një faj, një gabim të madh duhet të kesh bërë. Ky është një alarm që për herë të parë ndodh në Lushnjë”. Aty gruaja i përgjigjet: “Po, kam bërë një gabim”. Çfarë gabimi?!”, pyet polici, duke kujtuar se zbuloi kush e di çfarë. “Kam bërë një gabim, kam marrë për burrë Gramoz Ruçin që në vitin ‘75, e kam bërë këtë gabim herët. Nuk kam kohë ta korrigjoj tani”.

Ai kishte shqyer sytë dhe kështu u hap llafi se kjo ishte familja e Gramoz Ruçit. I futën brenda dhe i mbajtën në oborrin e komisariatit.

Aty është insistuar me të madhe që gruaja të futej në një qeli e vetme. Nga presioni i familjes, i shoqëruesve të saj dhe i mjaft njerëzve, e sidomos edhe i policëve të shërbimit të Lushnjës, kjo u shmang. Këta të fundit, kur e morën vesh me kë kishin të bënin, thanë: “Ç’punë kemi ne me këtë familje?!” ata ishin armatosur ashtu sepse pritnin vërtet një bandë kriminelësh. Atëherë, pas dy orësh debat, pasi kishin ardhur edhe makina zyrtare nga qendra, i komunikuan familjes sime pretendimin se në filan vend nuk keni respektuar rregullat e qarkullimit rrugor.

(ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb