NGA: SONILA MUSAJ
TIRANE-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, nuk do të hetohet në lidhje me deklaratat e tij ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës, Arian Aliaj. Burime nga organi i akuzës sqarojnë për “GSH” se vendimi është marrë pas marrjes së dëshmisë të gjyqtarit Aliaj, i cili ka deklaruar se nuk është ndjerë i rrezikuar nga deklaratat e Tahirit. Ndaj ministrit të Brendshëm bëri një padi edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, sipas të cilit, ministri ka treguar shprehimisht nëpërmjet deklaratave të tij se ka vepruar ndaj gjyqtarit Arian Aliaj për shkak të veprimtarisë së tij dhe se qëndrimi i ministrit jep efekte edhe ndaj gjyqtarëve të tjerë.

Ky fakt sipas Këshillit të Lartë të Drejtësisë merr rëndësi përcaktuese, sepse identifikon përtej çdo dyshimi se qëllimi i veprimeve të ministrit të Punëve të Brendshme është frikësimi i gjyqtarit dhe kanosja e tij. Sipas Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ministri Tahiri ka vepruar me dashje direkt në kryerjen e kësaj vepre penale, pasi rrethanat tregojnë për veprimtari sistematike dhe të zgjatura në kohë, që tregojnë vendosmërinë e tij në shkeljen e ligjit. Ministri i Brendshëm, Tahiri filloi me deklarata publike ndaj gjyqtarit Arian Aliaj, por edhe gjyqësorit në përgjithësi, pas vendimit të gjyqtarit Aliaj për pezullimin nga detyra të drejtorit të përgjithshëm të policisë, Haki Çako edhe masës së sigurisë “arrest shtëpie” Artion Dukën dhe Entiol Xhelilajn, dy oficerë të Forcave Operacionale.

Pas pezullimit nga detyra të drejtorit të Policisë së Shtetit, ministri Tahiri ka qenë i ashpër ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj, i cili dha këtë vendim. Gjatë deklaratave, Tahiri e ka cilësuar gjyqtarin Aliaj si të korruptuar e madje ka renditur disa raste që ai ka gjykuar, për vrasës e përdhunues, të cilët sipas Tahirit, i ka lënë të lirë. Në lidhje me deklaratat e Tahirit, më herët ka reaguar edhe Unioni Gjyqtarëve të Shqipërisë, që e cilëson të paprecedentë dhe aspak etik reagimin e ministrit të Brendshëm. Ndaj deklaratave të Tahirit ka reaguar, duke shprehur shprehur shqetësim edhe Unioni i Gjyqtarëve.
(d.b/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: