TIRANE- Dibranët ia besuan edhe për 3 vitet e ardhshme drejtimin e bashkisë një kandidati të majtë, ndërsa kryeministri i vendit Edi Rama nuk ka nguruar t’ju kërkojë atyre ndjesë që nuk ka arritur të përfundojë Rrugën e Arbrit dhe tju bëjë një tjetër premtim, atë të nisjes së punimeve para zgjedhjeve të 2017-ës.
“Ne kemi shumë borxhe, por dibranëve ju kemi një borxh të vjetër, Rrugën e Arbrit! Ju keni mbetur të izoluar, përdorni të njejtën rrugë si të parët tuaj”,- tha ai.
Duke vlerësuar besimin dhe mencurinë e urtësinë e treguar nga dibranët, Rama tha se do të kthejë sytë nga ta për të bërë ato që nuk janë bërë në 25 vite.
“Rrugën e Arbrit ne do ta ndërtojmë, dhe ajo do të ndërtohet para zgjedhjeve të ardhshme. Nuk kam ardhur në Dibër për një periudhë të gjatë pas 2013-ës. Nuk kam ardhur dhe e dini pse? Sepse nuk dija ca t’u thosha.”, tha Rama.
Nga ana tjetër Rama theksoi para dibranëve më shumë gjatë kësaj kohe kishte takuar ambasadorin kinez, sesa atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu. “Kam takuar ambasadorin kinezes më shumë sesa ambasadorin e SHBA-ve për reformën në drejtësi. E fillojmë bashkë punën për Rrugën e Arbrit. Pasi po nuk e filluam bashkë, do gjejë mënyrën që ta nis edhe pa ju. Unë e kam zakon të flas shumë. I shpreh respektin më të madh për doktor Muharremin.”, tha Rama.
Ndër të tjera, Rama tha se qeveria e kaluar nuk la asgjë gati. “Ne do t’i përkushtohemi edhe më shumë Dibrës. Dje, kam kaluar për disa orë me ambasadorin Kinez. Duhet thënë e gjithë historia, pasi erdhi Luli këtu dhe tha ‘ja dhamë gati Rrugën e Arbrit’. Se ça la gati Luli në punët e veta, ju i dini mirë. I dha Greqisë 300 km katror det, i la gati partisë 220 mln euro nga rruga e Kombit, partisë që të jemi të qartë. Dhe për fat të keq, i la edhe Bulevardit 4 njolla bashkuese gjaku. Punë tjetër për Lulin unë nuk di. Mbase më ka shpëtuar diçka por kam i sigurt se Rrugën e Arbrit nuk e la gati. Gjetëm vetëm një marrëveshje në parim me një çmim katastrofik të pamundur. Asgjë tjetër, as projekt, as kontratë. Ju me keni parë se në çdo takim që kam zhvilluar me kryeministrin kinez, në çdo rast kam thënë se duhet të bëhet një kontratë serioze dhe se shteti shqiptar duhet ta përballoj. Shteti shqiptar e ka të ndalur të marrë borxh, pasi gjetëm një borxh që po na mbyste. Ai na la me borxhe. Marrëveshja me FMN ishte i përpunuar. Ne nuk mund të marrim borxhe për të bërë një kontratë që shteti duhet ta paguaj.”, shtoi Rama
(ma.ar/ed.me/BalkanWeb)
