Nga: ENIDA HIMAJ
Dy skafistë myslimanë janë në gjyq për torturimin dhe vrasjen e gjashtë të krishterëve, të cilët u kishin besuar udhëtimin e tyre për të mbërritur në bregdetin spanjoll. Ngjarja ka ndodhur në 5 dhjetor 2014, në Almeria, Spanjë. Barka me të cilën po udhëtonin klandestinët, është përmbysur fare pranë brigjeve. Në barkën prej 10 metrash të gjatë udhëtonin rreth 50 klandestinë, kryesisht nga Nador dhe Maroku, dhe kishin si destinacion final Spanjën. Gjithashtu mes klandestinëve ishin edhe 6 persona të krishterë. Ngjarja u mbyll me 21 të mbytur, që nuk mundën t’i mbijetonin përmbysjes së varkës për shkak të kohës së keqe. Drejtuesi i skafit, Alain N. B. së bashku me mikun e tij, besohet se kanë rrahur dhe torturuar gjashtë emigrantët dhe më pas i kanë hedhur në det, pasi ishin të bindur se stuhia ishte krijuar pikërisht prej lutjeve të tyre të krishtere. Sipas dëshmitarëve, gjatë stuhisë të gjithë refugjatët ishin të tmerruar. Për këtë arsye një prift ftoi të gjithë që t’i luteshin Zotit për të mbërritur gjallë. Sipas të pranishmëve, ishte një thirrje e besimit dhe shpresës, njerëzore dhe fetare në të njëjtën kohë. Megjithatë dy skafistët nga Kameruni ishin të bindur se moti përkeqësohej pas çdo thirrjeje që i bëhej Jezusit, dhe kështu ata i vranë. Ishin dëshmitarët e masakrës ata të cilët zbuluan këtë vrasje për hetuesit spanjollë. Gjithashtu në mënyrë të qartë ata kanë kujtuar edhe torturat që skafistët u kanë shkaktuar viktimave para se t’i hidhnin në det të hapur. Sipas hetuesve janë përdorur komponentë dërrase nga e skafit për të qëlluar priftin, që ishte edhe i pari që u masakrua nga skafistët. Më pas ata bastisën dhe rrahën brutalisht pesë pasagjerë të tjerë duke kërkuar kryqe apo simbole të tjera fetare që mund të kishin me vete, pastaj i lëshuan pa ndjenja në det të hapur edhe ata, si fajtorë vetëm për faktin që thërritën Krishtin dhe jo Allahun.
Akuza e prokurorisë
“Skafistët kanë qenë të bindur që gjashtë të krishterët nuk do të mundeshin t’i shpëtonin mbytjes, sidomos pas plagëve të rënda fizike që kishin marrë”, thuhet në aktakuzën që prokuroria spanjolle ka lëshuar. Sipas tyre, skafistët kanë qenë të vetëdijshëm që temperaturat e ulëta, deti i keq dhe distanca e largët nga bregu do të sillnin vdekjen e menjëhershme të gjashtë personave edhe sikur ata t’i shpëtonin mbytjes. Në momentin e arrestimit atyre iu gjetën 1.500 euro, lekë të mbledhura nga emigrantët, përfshi edhe gjashtë të krishterët që kishin hedhur në det. Prokuroria kërkoi pak ditë më parë 15 vjet burg për secilën nga viktimat, ndaj në total rrezikojnë rreth 90 vjet burg. Njëri nga dy skafistët ka gjetur vdekjen pak ditë më parë në burg, ku u gjet i masakruar, njësoj siç kishte bërë me viktimat e tij.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)
