SHKUP – Deputetja shqiptare nga radhët e BDI-së, në Parlamentin e Maqedonisë, Ermira Mehmeti, ka reaguar sërish lidhur me audioincizimin erotik që u publikua pak muaj më parë. Në një status në “Facebook”, deputetja ka bërë publik emrin e vajzës që sipas saj, fliste në emrin e saj me zv/kryeministrin në videoregjistrim.

“Zonjusha në fjalë është A.A. nga Shkupi, dhe unë, por edhe Prokuroria Special e Ministria e Brendshme e kemi fotografinë e saj”- shkruan Mehmeti.

“Sot kam vendosur të them disa fjalë lidhur me këtë sulm, që duket se akoma vazhdon. Së pari, është e qartë tendenca që, duke përdorur metodat më të thjeshta të programeve edituese Ermira Mehmeti të shndërrohet në sinonim të ‘shthurjes morale’ të shoqërisë sonë. Nuk është për t’u çuditur: në një shoqëri maskiliste, me premisa të theksuara të patriarkalizmit dhe logjikës së organizimit shoqëror fisnor ku mashkulli/burri ka fjalën përfundimtare për çdo gjë, një Ermirë është pengesë që duhet eliminuar”, – shkruan Mehmeti.

“Rrethanat lehtësuese? Ermirës i ka vdekur babai, ka një vëlla që merret me art, pra jo me politikë, dhe një vëlla që është ndër udhëheqësit e Revolucionit të larmë. Ajo ka një kushërirë e cila pa ndalë e sulmon BDI-¬në dhe Qeverinë, dhe ka një familje pa 100 burra (sepse duket se ky është kriteri përcaktues për sukses në politikën tonë aktualisht)! Për më shumë, Ermira është edhe e divorcuar, kështu që terreni për ta goditur në dimensionin moral është perfekt, pa asnjë pengesë!”, vijon Mehmeti.

Ajo tregon se duke u gjendur pa mbrojtje nga institucionet por as nga subjekti i saj politik, është detyruar që vetë të kërkoj që të bëhet ekspertiza e ‘përgjimit’, në rrugë private.

“Atë ekspertizë e kanë bërë inxhinierë të zërit nga Maqedonia, Kosova, dhe SHBA-¬të, dhe është parë qartë se bëhet fjalë për një bisedë të montuar, me qëllim diskreditimin tim”, -thotë Mehmeti duke treguar se të njëjtat prova i ka dorëzuar në të gjitha organet e drejtësisë në vend, përfshirë edhe ministra e shefa Policie.

“Gjatë gjithë kësaj kohe nuk kam folur për këtë çështje duke u nisur nga edukata ime dhe përcaktimi se roli im publik nuk është për t’ia prishur jetën askujt, aq më pak ndonjë vajze apo femre. Por, sot po them dy gjëra: zonjusha në fjalë është A.A. nga Shkupi, dhe unë, por edhe Prokuroria Special e Ministria e Brendshme e kemi fotografinë e saj. Kjo nuk është politika që unë di ta bëj, nuk është politika që e kam mësuar, dhe nuk është politika në të cilën do të vazhdoj të jap kontribut. Prandaj, do të kërkoja që të ndërpritet fushata kundër meje dhe të lihet e qetë familja ime”, -shkruan deputetja Mehmeti, duke shtuar se nuk ka dyshim se qëllimi i kësaj fushate ka qenë dhe mbetet largimi i saj nga skena politike.

Pak muaj më parë, mediat maqedonase publikuan një audioregjistrim erotik, ku thuhej se bëhej fjalë për të Ermira Mehmetin dhe ish Zv/kryeministrin maqedonas Musa Xhaferi.
(er.nu/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb