TIRANË – Një major dhe një kapiten janë ndaluar sot nga Policia Ushtarake si të dyshuar për lidhjet e tyre me majorin Sokol Feka, që vdiq duke transportuar drogë me helikopter nga Maroku në Spanjë.

Lajmi është bërë i ditur nga Shtabi i Përgjithshëm, i cili njoftoi se “për të hedhur dritë të plotë mbi dyshimet e ngritura, Policia Ushtarake po bën kallëzimin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.”

Që pas publikimit të lajmit më 29 janar 2015 se majori shqiptar Sokol Feka ishte përfshirë në trafikun e drogës Marko – Spanjë, ku dhe gjeti vdekjen, Ministria e Mbrojtjes ka nisur hetimin në të gjitha strukturat e saj për shkeljet e bëra dhe strukturat që nuk kishin dijeni për aktivitetin e tij. 6 oficerë u liruan nga detyra dhe së fundi, 2 janë ndaluar sot.

DEKLARATA E PLOTË E SHTABIT TE PERGJITHSHEM

Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë prej mëse një viti kanë nisur një proces gjithëpërfshirës e të vijueshëm për forcimin e disiplinës dhe rregullit ushtarak brenda strukturave të tyre. Ngjarja e ndodhur me Major Sokol Feka, përbën një shtysë në kryerjen më me cilësi të këtij procesi.

Në këtë kuadër, për thyerje të rëndë të disiplinës, Policia Ushtarake ka bërë ndalimin e dy ushtarakëve, një Major dhe një Kapiten, si të dyshuar për lidhjet e tyre me Majorin e përfshirë në ngjarjen e ndodhur. Për të hedhur dritë të plotë mbi dyshimet e ngritura, Policia Ushtarake po bën kallëzimin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Për sa më sipër, Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA qëndrojnë të vendosur për të vijuar më tej thellimin e masave për forcimin e disiplinës në interes të kryerjes me sukses të misionit të tyre dhe ruajtjes së dinjitetit të figurës së ushtarakut.

(ar.sh/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: