NGA ERMELINDA HOXHAJ
TIRANE- Kryeministri Edi Rama, sistemin e ri të pranimeve në universitet e ka konsideruar si një sukses të këtyre 25 viteve, i cili u shërben më të mirëve. Sipas Ramës, asnjë nuk do të mbetet pa shkollë, pasi në këtë fazë të dytë të aplikimeve kanë mbetur shumë kuota të paplotësuara, të cilat do të plotësohen në këtë fazë, pasi nuk do të ketë fazë të tretë aplikimesh. Aplikimet në universitet do të mbyllen në datë 1 tetor, ndërsa më pas listat e tyre, AKP do t’ua dorëzojë universiteteve dhe në bazë të kritereve që universitetet kanë përcaktuar, do të bëhet përzgjedhja e fituesve, të cilët do zyrtarizohen në datë 6 tetor.
KRYEMINISTRI
Nga Divjaka, edhe një herë kryeministri Rama ka qetësuar mijëra të rinj, që janë ende në fazën e dytë të pranimeve në universitet, teksa theksoi se askush nuk do të mbetet pa shkollë të lartë. Por, ajo të cilën Edi Rama u kujdes të saktësojë është fakti se ky sistem është për më të mirët. “Sistemi duhet t’u shërbejë më të mirëve dhe më vjen shumë mirë që pas 25 vitesh, ne e kthyem sistemin në një sistem që u shërben më të mirëve dhe që sot të gjithëve u garanton një gjë, e kanë në dorë vetëm vetë. Nuk e ka në dorë askush tjetër. As miku, as partia, as leku”, tha Rama. Kryeministri tha se raundi i dytë i pranimeve në universitet do të jetë një çlirim për ata të rinj që nuk u shpallën fitues që në raundin e parë.
“Nuk do mbetet njeri që e meriton dhe që plotëson kriteret pa shkuar në shkollë, sepse ata që fituan në raundin e parë, praktikisht zunë nga 10 degë, apo 9 ose 8, vetëm një vend. E janë vetëm pesë mijë e pak vende të zëna. Të gjitha vendet e tjera janë të lira dhe për vendet e lira, tani konkurrohet në raundin e dytë e pastaj nuk ka më raund të tretë, por ka një sistem të vijës së kuqe që zbret në mënyrë kompjuterike. Kështu, të gjitha kuotat e vëna në dispozicion do të plotësohen”, u shpreh kryeministri. Ndërsa për ministren e Arsimit, Nikolla, reforma e shkollës së mesme do t’i lehtësojë nxënësit nga mbingarkesa, pasi ata do të orientohen tashmë vetëm nga lëndët që pëlqejnë. Pas vizitës në shkollën “Miti Zaka” të rikonstruktuar, kreu i qeverisë vizitoi qendrën e rilindur urbane të Divjakës, me një vlerë investimi 186 milionë lekë.
FITUESIT
Në këtë raund të dytë të aplikimeve në universitet, AKP duhet t’u dorëzojë institucioneve të arsimit të lartë listën e aplikantëve brenda datës 4 tetor 2016, së bashku me notat e tri viteve të shkollës së mesme dhe rezultatet e provimeve të maturës. Udhëzimi nr.13 datë 22.07.2016 i MAS përcakton se universitetet shpallin listën paraprake të fituesve brenda datës 6 tetor 2016 dhe pas periudhës së ankimimit ata shpallin listën përfundimtare të studentëve fitues të raundit të dytë, në datë 12 tetor 2016.
Regjistrimet e fituesve bëhen në online në sekretaritë mësimore me dokumentacionin përkatës deri në datë 16 tetor 2016. Më pas në pikën 13 të udhëzimit, nga data 16 tetor deri në datën 20 tetor 2016 sekretaritë mësimore vijojnë me regjistrimin e studentëve fitues deri në plotësimin e kuotave për çdo program studimi, duke respektuar renditjen në listë. Në këtë fazë hynë në punë edhe sistemi online i kontrollit që prezantoi ministrja Niolla, pasi do bëhet monitorimi i lëvizjes së vijës së kuqe në mënyrë dhe kandidatët do të informohen në kohë reale se sa afër vijës janë.
Kuotat bosh, UT: 4073 vende të lira
Universiteti i Tiranës ka reaguar pas shkrimit të botuar dje në “GSH” në lidhje me mospërputhjen e numrit të kuotave të lira për fazën e dytë të aplikimeve në universitet me 147 kuota. Faktikisht, “GSH” duke iu referuar kuotave bosh të publikuara në faqen e AKP-së, rezulton se janë 3926 kuota. Ndërsa, në faqen zyrtare të Universitetit të Tiranës rezulton se janë 4073 vende të lira. Po ashtu, edhe UT në reagimin e tij sqaron maturantët se në fazën e dytë të aplikimeve në 6 fakultetet e këtij universiteti janë të paplotësuara 4073 kuota pranimi.
“Universiteti i Tiranës, mbështetur në ligjin e Arsimit të Lartë 80/2015 dhe udhëzimin e MAS nr.13 datë 22.07.2016, informon se kuotat e paplotësuara në Universitetin e Tiranës janë në total 4073 në të gjitha programet e studimit. Ju bëjmë me dije se këto kuota për çdo program studimi gjenden në faqen zyrtare të Universitetit të Tiranës dhe në faqen zyrtare të çdo fakulteti të këtij universiteti. Këto kuota të paplotësuara i janë dërguar zyrtarisht AKPsë në datën 22.09.2016”, sqarohet në reagimin e UT-së.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
