Presidenti Hashim Thaçi, ndodhet sot në Tiranë për një vizitë dy ditore. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, më 3 dhe 4 tetor, Presidenti Thaçi do të takohet me krerët e shtetit. Në vizitën e tij të parë në Tiranë, si president i Kosovës, Thaçi është pritur me ceremoni shtetërore nga Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.
THAÇI: KOSOVËS NUK DO I PENGOHEN VIZAT, DEMARKACIONI MBYLLET ME SUKSES
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci në konferencën e përbashkët me presidentin e Shqipërisë Bujar Nishani deklaroi se mbështetja e Shqipërisë ka qenë jetike dhe vendimtare për avancimin e Kosovës, ndërsa shtoi se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë arritur tashmë dimensionin e një partneriteti të fuqishëm strategjik.
Duke u ndalur tek çështjet e brendshme të Kosovës, i pari i shtetit të të Kosovës shprehu bindjen e përfundimit me sukses të demarkacionit me Malin e Zi dhe sigurinë që marrëdhëniet me fqinjët nuk do jenë pengesë që Kosovës t’i liberalizohen vizat.
Thaçi tha më tej se “Shkëmbimet tregtare kanë arritur në kuotën e 200 milionë eurove. Shqipëria është destinacioni kryesor i kosovarëve me shpresën që kualiteti i të rritet”.
“Marrëdhëniet me fqinjët nuk do jenë pengesë që Kosova të vijojë me liberalizimin e vizave…Demarkacioni do përfundojë me sukses. Po implementojmë marrëveshjet e arritura në Bruksel me Serbinë”.
NISHANI: MIRENJOHJE PER KONTRIBUTIN NE KOSOVE
Në fjalën e tij, kreu i Shtetit shqiptar theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, duke shtuar se Shqipëria do të vijojë mbështetjen e Kosovës në të gjitha proceset integruese.
“Në takimet që patëm ne përcollëm me emocion të veçantë gjithçka që Shqipëria dhe Kosova kanë arritur në përpjekjet e vazhduara në rrugëtimin e gjatë drejt integrimit. Në axhëndën e vizitës, në përbërje të dy delegacioneve janë përfshirë edhe ministrat ë dy qeverive tona, çka e bën axhendën e bisedimeve më konkrete dhe impenjative. Përfshirja e ministrave të Bujqësisë, dhe Infrastrukturës, sidomos, tregon për rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve tona në këto fusha, si dhe impaktin e këtyre sektorëve në zhvillimin e vendeve tona. Me rëndësi janë dhe takimet e përbashkëta të dy qeverive tona”, tha Nishani.
Ndërsa, në orën 10:30, dy Presidentët do të dalin para mediave. Pas takimit me Presidentin Nishani, në orën 11:00, Presidenti Thaçi do të pritet nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kurse në orën 13:30, do të takohet edhe me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta. Pas takimeve me krerët e shtetit, Presidenti Thaçi do të vizitojë familjen e shkrimtarit Dritero Agolli.
Ndërsa, në orën 16:30, Presidenti Thaçi do të takohet edhe me kreun e PD-së Lulzim Basha. Nesër në orën 09:00, presidenti Thaçi do të vendosë kurorë lulesh në monumentin “Nëna Shqipëri”. Ndërsa, në orën 09:30, në Bashkinë e Tiranës do të takohet me kryebashkiakun Erion Velijaj.
Pas këtij takimi, para se të niset për në Bashkinë e Shkodrës, Presidenti Thaçi do të vendosë, gjithashtu, kurorë lulesh edhe te shtatorja e Adem Jasharit në Tiranë. Ndërsa, në mesditë, rreth orës 13:00, në Bushat të Shkodrës, Presidenti Thaçi do të vizitojë futbollistët e Kombëtares së Kosovës, të cilët po bëjnë përgatitjet e fundit për ndeshjen me Kroacinë.
(m.k/el.sp/ma.ar/BalkanWeb)
