Deputeti Përparim Spahiu, i cili garon për Kreun e ri të Lëvizjes Socialiste për Integrim, beson se kjo forcë politike është pjekur dhe ka të gjitha mundësitë për të qënë formacion i parë politik në vend. Ai ka bindjen e plotë se LSI nuk duhet të vazhdojë të prodhojë kryeministra, që sic deklaroi ai nuk janë me teserën e saj por të angazhohet për të fituar një pozicion të ri politik.

Spahiu në platformën për drejtimin e LSI, parashikon dhe një analizë të hollësishme mbi bilancin e qeverisjes 3 vjecare me Partinë Socialiste.

“Sepse unë mendoj, që LSI, e ka mbërritur tashmë pjekurinë e vet politike dhe i ka dhënë me të tepërt provat e veta, për të fituar një pozicion të ri, në politikën shqiptare. Një rol të mirëfilltë udhëheqës në nivel kombëtar. LSI, nuk duhet të vazhdojë e të prodhojë kryeministra, që nuk janë me teserën e saj. Sepse shpesh kemi qenë të detyruar të paguajmë kosto shumë të larta si parti politike, kur aleatët, edhe hapur edhe nëpër koridore, na e kanë lënë ne, faturën e dështimeve te tyre. Edhe për vendime apo për zgjedhje politike, që as na kanë pyetur fare!”, deklaroi z.Spahiu.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: