Hose Kajehon është një nga risitë e Julen Lopeteguit në kombëtaren spanjolle, pasi mesfushori ishte “injoruar” për një kohë të gjatë nga Visente Del Boske, pavarësisht formës që po kalonte te Napoli. Në ditën e kthimit të tij në radhët e kësaj përfaqësueseje, mesfushori ka shpjeguar edhe emocionet e ftesës, ndërsa ka parashikuar vështirësi në dy ndeshjet që “La Roja” do të luajë ndaj Italisë dhe Shqipërisë.
“Kjo ftesë është një vlerësim për punën e mirë që kam bërë në këtë periudhë. Jam shumë i lumtur që jam kthyer përsëri”, tha ai para mediave. “Kam punuar shumë për t’u kthyer këtu. Unë bëj më të mirën me klubin, pastaj është në dorën e trajnerit që të vendosë se çfarë bën, nëse më fton apo jo. Jemi paraqitur mjaft mirë me Napolin, por tani e ka radhën kombëtarja, me dy ndeshje mjaft të komplikuara”, theksoi mesfushori.
Ndërkaq, Diego Kosta dukej më i përqendruar te dueli kundër Italisë, të cilën e sheh si rivalen e drejtpërdrejtë për fitoren e grupit. diego kosta “E kam filluar mirë sezonin, jam në formë dhe shpresoj të ketë rëndësi. Jam i gatshëm të ndihmoj nëse do të më kërkohet, por kemi në ekip edhe Moratan apo sulmues të tjerë të cilët po paraqiten mjaft mirë. Kemi një ndeshje të rëndësishme ndaj një rivali direkt siç është Italia, duhet që t’i bëjmë gjërat sa më mirë ndaj tyre”, tha ai./panoramasport
(ed.me/BalkanWeb)
