Tifozët, ‘lojtari i 12’ i Kombëtares vazhdojnë të jenë pjesa më e bukur e ekipit tonë përfaqësues. Mbështetja e tyre ka qenë gjithnjë i pakufishëm, spektakli që kanë dhuruar ka bërë gjithnjë jehonë por fatkeqësisht paraqitja e tyre ka tërhequr shpesh vëmendjen e FIFA-s dhe UEFA-s ku nuk kanë munguar as penalizimet.
Shembulli fundit ishte ndeshja me Maqedoninë ku Federata Shqiptare e Futbollit u ndëshkua me 45 mijë euro gjobë si pasojë e sjelljes jo korrekte të tifozëve kuqezi ndaj atyre maqedonas.
Në transfertën e Lihtenshtejnit, në një stadium me kapacitet prej 7584 vendesh, 7500 ishin tifozë kuqezi, praktikisht një ndeshje e luajtur në shtëpi për ekipin e De Biasit. Në stadiumin e Vaduzit tifozët e Kombëtares ishin sërish protagonist por hedhja e fishekzjarrëve në fushë nuk i ka pëlqyer aspak zyrtarëve të FIFA-s të cilët kanë mbajtur shënim.
Sfida kundër Spanjës, më 9 tetor është një sfidë edhe për tifozët, sjellja e tyre duhet të jetë shembullore nëse nuk dëshirojnë të paralizojnë Kombëtaren me mos prezencën e tyre në ndeshjen e ardhshme kundër Izraelit.
(er.shk/BalkanWeb)
