Kombëtarja shqiptare ka një bilanc tejet negativ në përballjet me Spanjën. Në pesë ndeshje zyrtare, kuqezinjtë janë mposhtur po kaq herë, me 24 gola të pësuar dhe vetëm dy të shënuar (Shkëlqim Muça dhe Sokol Kushta). Të gjitha duelet me tri herë kampionët e Europës janë zhvilluar në vitet 1986-1993, periudhë tranzicioni në vendin tonë që reflektohej me vështirësi të panumërta dhe mungesë profesionalizmi e organizimi edhe në përfaqësuesen e futbollit.

E përditshmja prestigjoze spanjolle “Marca” bën një udhëtim në kohë duke risjellë në kujtesë dy udhëtimet e “La Roja”-s në Tiranë. Më 3 dhjetor 1986, Spanja shkelte për herë të parë tokën shqiptare vetëm tre muaj pasi ish-presidenti Ramiz Alia kishte marrë letrat kredenciale nga Luis Kuervo, i pari ambasador i Spanjës në Shqipëri.
Spanjollët fituan 2-1 me vështirësi, por më tepër se për rezultatin, ajo ndeshje do të mbahet mend si e para e Kombëtares shqiptare që transmetohej jashtë kufijve të vendit. Televizioni spanjoll “TVE 2” e transmetoi lojën përmes një sinjali të përcjellë nga Greqia.

Shqipëria dhe Spanja u takuan edhe në kualifikueset e Europianit 1992. Më 19 dhjetor 1990 spanjollët shpartalluan kuqezinjtë 9-0 në Sevilje, një ndër disfatat më të thella të skuadrës sonë përfaqësuese. Takimi i kthimit ishte programuar për t’u luajtur më 18 dhjetor 1991, por nuk u zhvillua për shkak të trazirave që po përjetonte vendi ynë me ndryshimin e regjimit. Federata Shqiptare e Futbollit ngriti një betejë ligjore në UEFA me pretendimin se spanjollët nuk pranuan të udhëtonin në Shqipëri, duke kërkuar një dëmshpërblim prej 10 milionë pesetas.

Vizita e fundit e spanjollëve në tokën shqiptare daton më 2 shtator 1993, me miqtë që triumfuan 5-1. Gjurmët e varfërisë dhe rrënimit shiheshin gjithandej nëpër Shqipëri, dhe sporti nuk mund të ishte imun ndaj këtyre fenomeneve. Aq sa, siç kujton fizioterapisti i përfaqësueses spanjolle të asaj kohe, Senen Kortegozo, trajneri i Shqipërisë, Bejkush Birçe, i qe ankuar se “nuk kishin autobus për të shkuar në stadium dhe u mungonin tri fanella të cilat lojtarët i kishin këmbyer pas ndeshjes me Danimarkën”.

Tentativa për manipulim
Në vitin 1993 pati një denoncim publik për tentativën që ndeshja midis Shqipërisë dhe Spanjës të manipulohej. Ka qenë zëvendëspresidenti i Federatës, Huan Espino, ai që denoncoi në media atë që ndodhi.
“Ka qenë një ndërmjetës, i cili udhëtoi me ne në avion, që na ofroi mundësinë për të trukuar ndeshjen. Ai kishte marrë një telefonatë nga Spanja, prej së cilës më thanë që donin të paracaktonin rezultatin. Nuk u fol për sasi parash, pasi përgjigjen negative e morën menjëherë. Mendoj se ofertuesit mund të jenë mbështetur nga rivalë të tjerë të grupit që kishin interesat e tyre për rezultatin”, kujton Salinas.
Asokohe FIFA nisi një hetim dhe arriti në përfundimin se ndeshja e zhvilluar ishte mëse korrekte. “Nuk kemi asnjë provë për të dyshuar se takimi midis Shqipërisë dhe Spanjës, i përfunduar me rezultatin 1-5, ka pasur anomali prej ndonjë prej ekipeve”, thuhej në komunikatën e FIFA-s./panoramasport/
Ndeshjet kundër Spanjës





(el.sp/BalkanWeb)
