TIRANË- I riu që po kërcënon me vetëvrasje nga një vinç tek stadiumi “Qemal Stafa” është i njohur për gazetaren Ola Bruko e cila e ka pasur edhe të ftuar në emisionin e saj “Njerëz në Fokus”, e më pas e ka ndihmuar në disa raste për shkak edhe të problematikave të tij.

Gazetarja tregon se Erjon Selimaj ishte nga ata persona që i janë ofruar zgjidhje si nga Bashkia e Vlorës ashtu edhe në Tiranë, por shumë herë i ka refuzuar.

“Më vjen shumë keq që shoh këtë skenë, ishte diçka që pritej pasi Erjon Selimaj ma kishte përsëritur që nëse nuk zgjidheshin problemet e tij do hipte në majë të një vinçi për tu dëgjuar. Do ta kategorizoja si një rast problematik, pasi sa herë që i ofrohej një zgjidhe pas emisionit ai nuk e pranonte”,- thotë Bruko.

Gazetarja kujton edhe telefonatën e fundit me Erjonin, ku i kishte komunikuar se do ta zgjidhte gjithçka duke hipur në një vinç.

‘Më 11 prill 2016-të ka pasur debat në emision me kryebashkiakun e Vlorës, Dritan Leli i cili thoshte se shumë herë i kishte ofruar shërbim, ushqim e strehim… U trondita nga çdo gjë që dëgjova nga një kryetar bashkie, por më vonë kuptova që ai nuk i pranonte zgjidhet që i jepeshin. Iu ofrua fillimisht një banesë modeste, që do paguhej me ndihmat e Bashkisë së Vlorës, këtë nuk e pranoi. E ka pritur edhe Avokati i Popullit, i ka ofruar edhe ai zgjidhje, i janë ofruar shumë opsione, donte Tiranën jo Vlorën, qendronte aty dhe më telefononte, i shante të gjithë se nuk i ofronin ndihëm e duhur. Nuk di si mund të ndihmohej, por di që i janë ofruar ndihma edhe në telefonatën e fundit më tha që do i kërkoj të drejtët e mia në majë të një vinçi…Nuk e di se çfarë zgjidhje kërkon tani”.

24-vjeçari nga Vlora ka rrëfyer historinë tragjike të jetës së tij në emisionin e datës 4 prill në “Njerëz në Fokus”. Që në moshën 1-vjeçare kur prindërit i janë divorcuar ai ka qëndruar në befotrofin e Vlorës. 7 vjeç ka ardhur në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë ku ka qendruar për një kohë të gjatë deri në mbarimin e shkollës 8-vjeçare. Më pas ka shkuar në konviktin e Vlorës, tek shkolla tregtare me bursë nga shteti por është detyruar ta braktiste për shkak të pamundësisë ekonomike dhe ka ardhur në Tiranë, ku është strehuar tek konviktet e Hoteleri-Turizëm në Tiranë. Me një urdhër të fundit të bashkisë së Tiranës, jetimët mbi 18 vjeç duhet të largohen nga konvikti.

(ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb