TIRANE – Mbi 120 mijë studentë nisën sot vitin e ri akademik 2016-2017. Faktikisht ky vit fillon me mungesën e një pjese të madhe të studentëve që do të ndjekin vitin e parë të studimeve, pasi ende një pjesë e tyre, rreth 40%, nuk janë regjistruar. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, dita e fundit e regjistrimit në universitete do të jetë data 27 tetor.
Kjo situatë ka shkaktuar debate në seancën e sotme të Kuvendit, ku deputetë të opozitës kanë akuzuan qeverinë se i detyroi maturantët më të mirë të bëjnë zgjedhje nën presion, ose tek privati, ose në degë jo me emër.
Kryeministri Rama siguroi se në përfundim të këtij procesi do të bien poshtë të gjitha akuzat e opozitës.
“Mos i panikoni në mënyrë krejt artificiale maturantët, mos nxisni ankthe të panevojshme tek prindërit. Kuotat do të jenë deri në fund në dispozicion dhe do të plotësohen.
Mos u nxitoni sepse vetëm pas pak ditësh do ta kuptoni se çfarë ndryshimi thelbësor ka ndodhur dhe çfarë cilësie është garantuar në këtë proces, për shkak të dy raundeve dhe filtrit , duke bërë të mundur diçka që deri dje ishte utopi. Maturantët do rreshtohen nga më i miri një pas një, dakord ka një shtyrje disa ditore për një arsye shumë të thjeshtë objektive. U desh shumë kohë këtë herë sepse ishte hera e parë që testohej sistemi. Ata që nuk do kenë plotësuar kuotat në fund të procesit do jenë privatët”-deklaroi kryeministri.
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla shpjegoi me detaje përse u mor vendimi për të ndryshuar sistemin e pranimit në universitete. Sipas ministres, ankthi i maturantëve është shtuar në mënyrë artificiale.
“Eshtë një sistem i ri që i jep përgjigje problematikave të vjetra. Në ditët në vijim në përfundim të procesit do të kemi raportimin se si dhe çfarë janë treguesit e përmirësuar. Formula ishte e duhura. Në ditët në vijim do të jenë universitetet që do flasin. ky sistem nuk është perfekt, por është i përmirësuar dhe pranë meritës.”- deklaroi Nikolla.
Votohet pr/ligji “për organet e qeverisjes së gjyqësorit”
Seanca e Kuvendit ka sot në rend dite vetëm votimin e çështjeve të mbartura nga séanca paraardhëse, ndërsa të parashikuar për diskutim nuk ka asnjë projektligj.
Fillimisht, axhenda parashikon njoftimin e pr/ligjeve të depozituara në Kuvend dhe më pas procedurën e votimit për një sërë pikash, si kalendarin 3 javor të punës për periudhën 17 tetor – 4 nëntor dhe votimin e pr/ligjeve dhe pr/akteve të pavotuara nga seanca e 13 tetorit.
Mes tyre, më i rëndësishëm është p/ligji “Për organet e qeverisjes së gjyqësorit”. Drafti, pjesë e paketës prej 7 ligjesh të reformës në drejtësi, ishte i vetmi që nuk u votua në séancën e 6 tetorit, bashkë me pesë ligjet e tjera, që do ta bëjnë të zbatueshme paketën kushtetuese të miratuar me konsensus ne seancën e 22 korrikut.
I asistuar nga misioni EURALIUS, pr/ligji në fjale konsiderohet një risi në sistemin gjyqësor shqiptar. Ai rregullon organizimin dhe funksionimin e katër institucioneve: Këshillin e Lartë të Gjyqësorit, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë, si dhe Këshillin e Lartë të Emërimeve, lidhur me përbërjen, procedurën e votimit, si dhe kompetencat respektive të tyre.
Megjithë rendin zyrtar të punimeve te seancës, kohën më të madhe të debatit në parlament e zënë diskutimet politike, kryesisht ato që lidhen me çështje nga aktualiteti, si kultivimi i kanabisit, çështja çame, pranimet në universitete, etj.
(er.nu/BalkanWeb)
