MIRON ÇAKO*
Shumë herë në komunikim midis njerëzve dëgjon fjalët fat, kismet, kështu ishte e shkruar, kështu ishte e thënë etj.,
si këto. Kaq shumë i besojnë njerëzit këto gjëra, sa përpiqen të justifikojnë edhe veprimet më ekstreme negative. Kur isha duke folur njëherë me një person që vuante dënimin në burg për vrasje e pyeta: “Përse e vrave filanin?”. Ai me një qetësi autosugjestive, mu përgjigj: “Kështu ishte e shkruar, që ta vrisja”. Me anë të kësaj logjike sureale, ai përpiqej të qetësonte ndërgjegjen e tij, që patjetër e akuzonte për krimin e vrasjes, mu desh kohë të bisedoja me atë person që ta sqaroja se ai kreu krimin jo se ishte shkruar nga Zoti, por se ai vetë e shkroi “fatin e tij të keq” duke shkelur porosinë e Perëndisë “Mos vrit” (eksodi 20 13) dhe duke u dënuar sipas ligjit të shtetit për vrasje. Lavdi Zotit, ai e kuptoi se kishte bërë një krim me vetëdashje, pavarësisht rrethanave, u pendua dhe u rrëfye dhe sot ka dalë nga burgu duke bërë një jetë me kujdes, për të mos gabuar dhe justifikuar më mëkatet e vdekshme siç është edhe vrasja.
Por, që të kuptojmë më mirë konceptin e fatit, kismetit ose e shkruar, le t’i referohemi fjalorit shqip se si e interpreton fjalën fat:
1. Sipas filozofisë idealiste, fesë dhe besimeve të kota: Fati është fuqi e panjohur dhe e mbinatyrshme, që gjoja përcakton në mënyrë të pashmangshme gjithçka që i ndodh njeriut në jetë, të ardhmen e tij dhe rrjedhën e të gjitha ngjarjeve, pavarësisht nga vullneti i njeriut e nga shoqëria.
2. Fati interpretohet si gërshetim rrethanash e lidhje ngjarjesh, që ndodhin rastësisht në jetën e dikujt, fat i mirë (i keq), fat i bardhë (i zi). E ndihmoi, i eci, i buzëqeshi fati, e solli fati, i ra (i qëlloi) fati, e la në dorë të fatit, më la në mëshirë të fatit etj.
Pavarësisht se fjalori shqip-shqip e injoron fatin me këndvështrimin ateist, prapë ka të drejtë kur thotë se fati nuk lidhet me fenë e vërtetë dhe besimin e Zotit. Sipas konceptit fetar të krishter nuk ka fat, apo të shkruar, por bekim që do të thotë dhuratë nga Perëndia në qoftë se njeriu e pranon apo jo.
Po pse njerëzit preferojnë të kenë më shumë fat sesa bekim? Arsyeja është, se në qoftë se pranojmë se ka fat, të shkruar, që është i pavarur prej dëshirave dhe veprimeve personale, atëherë njeriu nuk ndihet fajtor dhe i përgjegjshëm dhe kështu justifikon çdo veprim të tij ndaj vetes e të tjerëve edhe kur ky veprim është i gabuar dhe sjell fatkeqësi dhe indiferencë ndaj problemeve të të tjerëve. Madje, ka veprime ekstremiste indiference si, ç’është në fenë budiste, që nuk lejohet të ndihmosh tjetrin në fatin e tij të keq, por duhet ta lejosh të vuaj sepse kështu ai përmbush karmën, ciklin e rimishërimeve deri sa arrin në përsosmëri, kjo është arsyeja që në këto vende ku sundon kjo fe ka shumë njerëz që vuajnë rrugëve dhe askush nuk kujdeset për ta.
Por, si duhet t’i kuptojmë disa shprehje në Shkrimin e Shenjtë Biblën p.sh. “Ky është fati që Perëndia i caktoi njeriut të keq, trashëgimi që i është dhënë nga Perëndia”. (Jobi 20 -29) “Mua fati më ka rënë në vende të këndshme: po një trashëgim i bukur më ka rënë “(Psalimi16 6) ose “Vendose fatin tënd tek Zoti, ki besim tek ai dhe ai ka për të vepruar” (psalmi 37 5). Në Shkrimin e Shenjtë ka edhe thënie shumë fataliste, “Kështu thash në zemrën time po ai fat që i takon budallait, më takon edhe mua, ç’përfitim ke se ke qenë më i urtë? Prandaj thash në zemrën time dhe kjo është kotësi”. (Predikusi 2 15) “Këta janë mërmëritës që ankohen për fatin e tyre, që ecin sipas pasioneve të tyre…” (Juda 1 16).
Pavarësisht se në këto pasazhe të Shkrimit të Shenjtë, por edhe në të tjera, përmendet fjala fat, sipas konceptit të krishterë fjala fat nuk do të thotë diçka që është e përcaktuar nga Perëndia ose nga një fuqi e mbinatyrshme, që përcakton rrjedhën e jetës së njerëzve pa dëshirën e tyre, por tregon një paranjohje të Perëndisë, i cili vepron në botë në dy plane, në atë jashtë kohe dhe hapësirë dhe duke qenë se tek Perëndia nuk ka të shkuar dhe të ardhme, por vetëm tani, Ai parasheh çdo rrjedhë të jetës të çdo njeriu, por Ai nuk e ka përcaktuar atë. Rrjedha e jetës së njeriut varet nga zgjedhja që bën vetë njeriu i lirë, të pranojë apo të refuzojë vullnetin, planin që ka përgatitur Perëndia për atë.
Përveç se Perëndia di gjithçka, përtej kohës dhe hapësirës ai vepron me çdo individ edhe brenda kohës edhe hapësirës në rrjedhën e shpejtë të kësaj jete tokësore. Kështu mund ta kuptojmë edhe tradhtinë e Judës ndaj Jisu Krishtit, e cila ishte parathënë nga mbreti David tek psalmet 1000 vjet p\K “Madje edhe miku im i ngushtë, tek i cili kisha besim dhe që hante bukën time, ka ngritur kundër meje thembrën e tij” (psalmi 41 9). “Qofshin të pakta ditët e tij dhe një tjetër zëntë vendin e tij” (Psalmi 109 8). Vetë Krishti e zgjodhi Judën si një nga të dymbëdhjetët, duke e ditur se ai do ta tradhtonte, sepse nuk ishte Zoti që e kishte përcaktuar që Juda ta tradhtonte, por e paranjihte tradhtarin e tij që nga përjetësia.
Jo vetëm njerëzit e feve të tjera që e pranojnë paracaktimin, por edhe disa të ashtuquajtur të krishterë heretikë e keqinterpretuan një pjesë të Shkrimit të Shenjtë nga letra e Apostull Pavlit, drejtuar romakëve sikur aty flitet për një paracaktim “Dhe ata që ai i paracaktoi dhe i thirri dhe ata që i thirri edhe i shfajësoi dhe ata që i shfajësoi, ata edhe i përlëvdoi” ( Romakëve 8 30).
Doktrina heretike kalviniane thotë se: 1. Njerëzit janë plotësisht të pazotë për shpëtimin e tyre. 2. Njerëzit janë të përcaktuar më përpara se cili do të shpëtohet dhe cili do të shkojë në ferr 3. Shpëtimi është i kufizuar vetëm tek të zgjedhurit 4. Hiri i Perëndisë i përcaktuar për shpëtim është i pakundërshtueshëm dmth., bëhet kaq me detyrim saqë njeriu dhe të mos dojë do të shpëtojë se s’bën, sepse Perëndia e përcakton 5. As fëmijët nuk do të përjashtohen nga përcaktimi… Kjo është një doktrinë e gabuar, sepse vargu interpretohet në kontekstin e shkrimit, se paracaktimi për lavdërimin e besimtarëve, është rrjedhojë e paranjohjes të përsosur të Perëndisë së përjetshme.
Të pohosh paracaktimin e Zotit, të pavarur nga njeriu do të thotë se nuk duhet të ketë gjykim nga Zoti për veprimet tona, sepse ato janë të paracaktuara dhe ne nuk mund t’i ndryshojmë. Ky është një spekulim i madh që vjen nga djalli, i cili kërkon t’i bëjë njerëzit fatalistë dhe të justifikojnë mëkatet e tyre; se kështu ishte e shkruar dhe të mos besojnë në gjykimin e drejtë të Perëndisë dhe të dënimit të mëkatarëve në ferr, ashtu si thotë Zbulesa.
“Kush fiton do t’i trashëgojë të gjitha gjërat dhe do të jem për të Perëndi dhe Ai do të jetë për mua bir. Kurse për frikacakët dhe të pabesët, dhe të neveritshmit dhe vrasësit, dhe kurvëruesit, dhe magjistarët, dhe idhujtarët, dhe gjithë gënjeshtarët, pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur, që është vdekja e dytë” (Zbulesa 21 7-8).
Por, le të flasim edhe për një aspekt tjetër të fatit. Njerëzit që duan të martohen thonë se po kërkojnë fatin e tyre, madje ata e quajnë njëri-tjetrin bashkëshort ose fat i atij (asaj), ose kur ndahen, nuk ishte fat im ose fat i keq. Por pavarësisht se kërkimi i fatit në martesë është intrigues dhe i mbështjellë me romanticizëm, nuk ka asnjë bazë të vërtetë që martesa është një fat dmth., e shkruar që dy njerëz do lidhen më njëri-tjetrin, pavarësisht dëshirës së tyre. Martesa është një zgjedhje që njeriu e zgjidh, ose duke vendosur vetë ose duke i kërkuar ndihmë Perëndisë, i cili njeh çdo njeri mashkull dhe femër me të gjithë specifikat e tyre dhe vetëm Ai mund të bëjë kombinimin mes tyre, të përshtatshëm midis dy njerëzve në çift, siç krijoi çiftin e parë Adamin prej dheut dhe Evën prej brinjës së Adamit, duke thënë “Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij dhe do të jenë një mish i vetëm” (Zanafilla 2 24). Për ta kuptuar këtë se partneri në martesë nuk është një fat, por një dhuratë, vetë Shkrimi i Shenjtë na ndihmon, kur shërbëtori i Abrahamit vajti të kërkojë grua për Isakun, ai ju lut Zotit, “Sot kam arritur te burimi dhe thashë: O Zot, Perëndia i zotërisë tim Abraham, në rast se të pëlqen kështu, të lutem bëje të mbarë udhëtimin që kam filluar. Ja, unë po ndalem pranë burimit të ujit, bëj që vajza që ka për të dalë për të marrë ujë dhe së cilës do t’i them: ‘Lërmë të pi pak ujë nga shtamba jote’ dhe që do të më thotë: ‘Pi sa ke nevojë dhe do të marr ujë edhe për devetë e tua’, le të jetë gruaja që Zoti i ka caktuar djalit të zotërisë tim. Para se unë të kisha mbaruar së foluri në zemrën time, doli jashtë Rebeka me shtambën e saj mbi shpatull; ajo zbriti te burimi dhe mbushi ujë… Pastaj u përkula, adhurova Zotin dhe e bekova Zotin, perëndinë e Abrahamit, zotërisë tim, që më ka çuar në rrugën e drejtë për të marrë për birin e tij bijën e vëllait të zotërisë tim” (Zanafilla 24 42 45 48).
Kjo është një martesë e bekuar nga Zoti, sepse është produkt i kërkesës që i bëhet Perëndisë për të gjetur njeriun e përshtatshëm për martesën, që është një nga shtatë misteret e kishës. Martesat që prishen nuk janë fate të këqija, por janë zgjedhje të gabuara që janë lejuar për shkak të egoizmit, krenarisë, pasionit dhe lakmisë së njeriut.
Pra, me të gjitha këto fakte nga Shkrimi i Shenjtë nuk kemi asnjëherë fat dhe ai nuk ekziston, por kemi bekim (dhuratë), në qoftë se e pranojmë dhe kjo kur na jepet duke e kërkuar në lutje siç Zoti tha: “Lypni dhe do t’ju jepet, kërkoni dhe do të gjeni, trokitni dhe do t’ju çelet. Sepse kush lyp merr, kush kërkon gjen dhe do t’i çelet atij që troket”. (Mateu 7 7-8).
Në qoftë se ne e refuzojmë vullnetin e pagabueshëm të Perëndisë, atëherë përzgjedhjet tona janë të gabuara, ne jemi vetë përgjegjës me të gjitha pasojat dhe nuk duhet të themi që ishte fat i keq që na ra, duke bërë kështu fajtor Perëndinë, i cili sipas nesh, nuk u tregua dashamirës me ne. Në qoftë se do këmbëngulim duke u ankuar në këtë pikë, atëherë jemi duke blasfemuar, sepse akuzojmë Perëndinë si të padrejtë, të njëanshëm dhe shkaktar fatkeqësish.
Kjo është në kundërshtim me atë çfarë tha Zoti Jisu Krisht për natyrën e Perëndisë, që është dashuri i pakushtëzuar nga veprimet tona “… sepse ai bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët”. (Mateu 5 45)
Njeriu është përgjegjës për zgjedhjen që ai bën, prandaj edhe Moisiu i thotë popullit të Izraelit: “Shiko, unë vë sot para teje jetën dhe të mirën, vdekjen dhe të keqen, prandaj unë të urdhëroj ta duash Zotin, Perëndinë tënd, të ecësh në rrugët e tij, të respektosh urdhërimet, statutet dhe dekretet e tij, që ti të jetosh dhe të shumëzohesh dhe Zoti, Perëndia yt, do të të bekojë në vendin që ti po shkon për ta pushtuar”.(LiP 30 15-16)
Bekimi është një dhuratë që ka të bëjë me jetën dhe me misterin e saj, një dhuratë që shprehet me anë të fjalës dhe xhestit të bekimit. Ai që bekon është Zoti Perëndi dhe bekimi i tij bën që përherë të rrjedhë jeta.
“Ti e kurorëzon motin me bujarinë tënde të madhe dhe gjurmët e tua dallohen me bollëkun e të mirave” (Psalmet 65 11).
Dhe ashtu siç ai bekoi Abrahamin “Zoti e ka bekuar shumë zotërinë tim, që është bërë i madh, i ka dhënë dele dhe qe, argjend dhe flori, shërbyes dhe shërbyese, deve dhe gomarë” (Zanafilla 24 35).
Ose siç bekoi Jobin “A nuk ke vënë ti një mbrojtje rreth tij, rreth shtëpisë së tij dhe të gjitha gjërave që ai zotëron? Ti ke bekuar veprën e duarve të tij dhe bagëtia e tij është shtuar shumë në vend”. (Jobi 1 10)
Në disa pjesë të Shkrimit të Shenjtë shpesh ndodh një paradoks që për një rast të veçantë, i dobëti të bekojë të fuqishmin dmth., njeriu të guxojë të bekojë Zotin. Kjo vjen nga që njeriu duke qenë i varfër dhe nuk ka asgjë për t’i dhënë të pasurit, asgjë që t’i falë Perëndisë, është bekimi ai që cakton mes qenieve një rrjedhë jetike të anasjelltë, që e lejon më të voglin ndër njerëz, të shikojë mbi vete vërshimin e bujarisë së Zotit dhe kështu ai në mirënjohje e bekon Zotin që është përmbi të gjitha bekimet që do të thotë: të pohosh bujarinë e tij dhe ta falënderosh, kjo është detyra parësore e gjithë krijesës. “Beko, shpirti im, Zotin dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë. Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë”. (Psalmi 102 1-2 )Ta bekosh Zotin nuk do të thotë se i shton sadopak pasurinë e Tij, por rrëmbehesh nga hovi i këtij zbulimi dhe nxitesh të ftosh botën për ta lavdëruar për mirësinë e tij. Bekimi është përherë rrëfim publik i fuqisë Hyjnore dhe falënderim për bujarinë e Tij. “Zoti e ka vendosur fronin e tij në qiejt dhe mbretërimi i tij sundon mbi gjithçka. Bekoni Zotin ju, engjëj të tij të pushtetshëm dhe të fortë, që bëni atë që thotë ai, duke iu bindur zërit të fjalës së tij. Bekoni Zotin, ju, tërë ushtritë e tij, ju, tërë ministrat e tij, që zbatoni vullnetin e tij. Bekoni Zotin, ju, të gjitha veprat e tij, në të tëra vendet e sundimit të tij. Shpirti im, beko Zotin!” (Psalmi 102 19-22).
Të bekuar që në fillim nga krijuesi burri dhe gruaja Dhe Perëndia i bekoi dhe Perëndia u tha atyre: “Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë”. (Zanafilla 1 28), ata me mëkatin e tyre bënë që të shpërthejë mallkimi i Zotit mbi gjithë krijimin ‘toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd’ (Zan 3 17).Perëndia në dashurinë e tij nuk e braktisi njeriun në mallkim ashtu siç i tha gjarprit (djallit) “Qofsh i mallkuar… gjithë ditët e jetës sate” (Zan 3 14). Zoti për ta shpëtuar njeriun dhe botën nga mallkimi i mëkatit për shkak të zilisë së djallit dërgoi Birin e Tij të bekuar për jetë që të bëhet mallkim për ne, që të na lirojë nga barra e mallkimit, ashtu siç thotë apostull Pavli “Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit, sepse u bë mallkim për ne (duke qenë se është shkruar: “I mallkuar është kushdo që varet në dru” (Gal 3:13).
Apostull Pavli thotë: “Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me të? I bekuar qoftë Perëndia, Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, që na bekoi me çdo bekim frymëror në vendet qiellore në Krishtin”, (Romakeve 8 32).
Dy lëvizjet e bekimit, Hiri që zbret dhe falënderimi që ngjitet janë përmbledhur në Jisu Krishtin dhe asgjë tjetër nuk ka përtej këtij bekimi, që është dhurata më e madhe e Perëndisë për njerëzit, ashtu siç na thuhet te Zbulesa.
“Pas këtyre gjërave, pashë një turmë të madhe, të cilën askush nuk mund ta numëronte, prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve; këta qëndronin në këmbë përpara fronit dhe përpara Qengjit, të veshur me rroba të bardha dhe me palma në duart e tyre. Dhe thërrisnin me zë të madh… duke thënë: “Shpëtimi është i Perëndisë sonë, që është ulur mbi fron dhe i Qengjit”, duke thënë: “Amen! Bekimi dhe lavdia, dhe dituria, dhe falënderimi, dhe nderimi, dhe fuqia dhe forca janë te Perëndia ynë në shekuj të shekujve. Amen!” (Zbulesa 7 9 10 12).
Të bekosh dikë do të thotë të bashkohesh në njëfarë mënyre me të, prandaj dhe bekimi (dhurata) më e madhe që Perëndia i jep njeriut me anë të Jisu Krishtin është trupi dhe gjaku i Tij, ashtu siç Zoti tha:
“Pastaj mori bukën, falënderoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: “Ky është trupi im, që është dhënë për ju, bëni këtë në përkujtimin tim”. Po kështu, pas darkës, mori kupën duke thënë: “Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, që është derdhur për ju” (Luka 22 20). “Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet në mua dhe unë në të” (Joani 6:56).
Bekimi i eukaristisë përmban të gjithë bekimet e Perëndisë në Krishtin, është akti i tij i fundit, është bekimi që Ai i la Kishës së vet “Bëjeni këtë në përkujtimin tim” (1kor 11 24).
Zoti Jisu Krisht kur u largua për në qiell u la bekimin e përjetshëm nxënësve të tij “Dhe ndodhi që, ndërsa ai po i bekonte, u nda prej tyre dhe e morën lart në qiell” (Luka 24 51).
Përveç Krishtit, që është dhuratë dhe bekim i dashurisë së Atit për ne, po ashtu është edhe Shpirti i Shenjtë.
“Kur erdhi dita e Rrëshajëve, ata ishin të gjithë bashkë, në një mendje të vetme, në të njëjtin vend… Kështu të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flasin në gjuhë të tjera, ashtu si Fryma e Shenjtë ua jepte të shpreheshin”. (Vep Apostujve 2, 1-4)
“Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë” (Romakeve 5.5).
Kur Ati Perëndi na ka dhënë si bekim (dhuratë) dhe jo si fat Birin dhe Shpirtin e Tij të Shenjtë, sa më tepër do të japë çdo gjë që është e nevojshme për ne në këtë jetë dhe për përjetësinë. Zoti tha: “Por, para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen” (Mateu 6:33).
Nuk ka fat, por bekim në Zotin, kjo është arsyeja pse në kupolat e kishave orthodhokse është i ikonizuar Krishti Pantokrator (i gjithë pushtetshëm) duke bekuar me dorën e djathtë në Emrin e tij, që formohet me pozicionin e gishtave në inicialet IC XC.

* Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit K.O.A.SH
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb