Nga OLA MITRE*

Kërkesës për shtim kuotash të specializimeve në mjekësi, nga ana e kandidatëve që nuk arritën të fitonin i është përgjigjur vetë kryeministri, Edi Rama. Ai ka preferuar të presë një përfaqësi të këtyre mjekëve, ndërkohë që “Gazeta Shqiptare” ka mundur të mësojë detajet dhe batutat e shkëmbyera gjatë takimit. Pritja është zhvilluar në Kryeministri të martën e javës së kaluar dhe ka zgjatur rreth 15 minuta. Kandidatët u përfaqësuan nga 10 mjekë, ndërsa i kërkuan drejtpërdrejt kryeministrit kuota shtesë ose rishpërndarjen e kuotave të trojeve, të cilat mbetën të parealizuara gjatë procesit të përzgjedhjes. Por, duket se kërkesa e mjekëve nuk është pranuar nga Rama, i cili u ka komunikuar dhe vendimin përfundimtar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Arsimit, sipas të cilit për vitin akademik 2014-2015 nuk do të ketë më pranime të reja.

Po ashtu, ai u ka rikonfirmuar faktin se në muajin shtator do të rihapen specializimet, duke theksuar se çdokush që mbeti jashtë këtë vit, mund të rifutet në garë vitin e ardhshëm. “Besoj se dijet tuaja do të jenë të njëjta edhe në shtator, çka do të thotë se keni shanse për t’u renditur si fitues”, mësohet se u ka thënë Rama, kandidatëve. Këta të fundit kanë shprehur rezerva edhe për sistemin meritë-preferencë, me të cilin u bë përzgjedhja e fituesve këtë vit akademik. Sipas tyre, me këtë sistem mbetën jashtë shumë kandidatë, që kishin më tepër pikë se shumë prej garuesve që arritën të fitonin një vend specializimi. Kësaj ankese, Rama i është përgjigjur me një përvojë personale, jo gjatë takimit të zhvilluar në Kryeministri, por duke komunikuar në rrjetet sociale drejtpërdrejt me disa kandidatë që kishin këtë rezervë. “Ju pranuat të kandidoni me këtë sistem. Edhe unë në zgjedhjet vendore të vitit 2011 mora më shumë vota se kandidati tjetër, por fitues u shpall ai. Por, kjo nuk do të thotë se unë u tërhoqa dhe humba shpresat. Përkundrazi, kjo më dha forcë për të punuar më tepër, gjë që u reflektua në zgjedhjet e 23 qershorit, ku forca ime politike u shpall fituese”, mësohet se i ka thënë Rama, njërit prej kandidateve, duke e inkurajuar për garën që do të zhvillohet në muajin shtator.

Procesi
Specializimet në mjekësi u hapën pas tri vitesh bllokimi, ndërsa u miratuan në total 365 kuota. Për to kandiduan 796 mjekë, por procesi i përzgjedhjes së fituesve u pasua nga ankesa të shumta nga radhët e kandidatëve që nuk arritën të klasifikoheshin si fitues. Pretendimet kryesore lidheshin me faktin se shumë fitues kishin më pak pikë nga kandidatët që mbetën jashtë listës, ndërsa çështja shkoi edhe në Komisionin parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë. Seanca dëgjimore me ministrat, Ilir Beqaj dhe Lindita Nikolla mori shkas nga një peticion i firmosur nga rreth 50 kandidatë që nuk mundën dot të siguronin specializimin në mjekësi. Ndërkohë që deputetë të PS dhe LSI u shprehën kundër formulës të përcaktuar nga dy ministritë për përzgjedhjen e fituesve. Deputetja e PS, Klodiana Spahiu tha se sistemi meritë-preferencë la jashtë shumë studentë që kanë pasur pikë të larta dhe iu ka dhënë mundësi kualifikimi atyre kandidatëve që grumbulluan shumë më pak pikë. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe deputeti Vangjel Tavo, i cili theksoi se sistemi meritë-preferencë nuk ishte i duhuri. Pas seancës dëgjimore, u hodhën idetë se pranimet e vitit që vjen do të bëhen përmes një tjetër formule, por gjithçka duket se do të përcaktohet në muajt në vijim.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb