TIRANE- Zbulohen detaje të reja nga plagosja e një 29-vjeçari në një zonë të populluar në kryeqytet, tek ish-Ekspozita, afër gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës. Gazetarja Dorjana Bezat konfirmon për BalkanWeb e News 24 se ka dyshime të forta që të riut Andi Mustafaraj i është bërë atentat dhe ngjarja ka lidhje me një tjetër vrasje të bujshme në kryeqytet, atë të Elton Çiços.
Po sipas saj, ka dyshime të forta që Mustafaraj të jetë mik i Elton Çiços, madje edhe atentati është i së njëtës formë, në lokal, në zonë të populluar. Nga hetimet paraprake policia dyshon se shkak i atentatit është hakmarrja dhe përplasja e bandave për trafikun e drogës.
Ai ka qënë i ulur vetëm në verandën e një lokali (që shihni në foto) në momentin që është qëlluar. Një person ende i paidentifikuar i është afruar dhe ka qëlluar tre herë me armë, dy prej plumbave e kanë prekur njëri në shpatull dhe tjetri në krahë.
Më të kryer krimin, autori është larguar në këmbë, ndërsa dyshohet që një automjet e priste në një rrugicë që lidh bulevardin me lokalin.
Nuk ka ende informacione nëse Mustafarja kishte precedentë të mëparshëm penale, por dyshohet se ai ka qenë pjesë e bandës së Elton Çiços që e kanë pasuar aktivitetin e tyre në Tepelenë.
Ndër të tjera mësohet se në lokalin ku iu bë atentati, Mustafaraj shkonte shpesh madje e kishte frekuentuar edhe në shoqërinë e Elton Çiços para se ky i fundit të vritej. Burime të BlakanWeb e News 24 thonë se Musafaraj ishte shprehur se do të merrte hak për vrasjen e tij.
Gazetarja Bezat tha ndër të tjera se ndonëse ngjarja ndodhi pak metra larg drejtorisë së Policisë së Tiranës, efektivët kanë marrë njoftim për ngjarjen me vonesë, madje gazetarët kanë qenë në vendngjarje para tyre.
Blutë e kryeqytetit kanë ngritur postblloqe në pika të ndryshme të kryeqytetit për të rënë në gjurmët e autorit.
DEKLARATA E POLICISE
Më datë 28.10.2016, rreth orës 12:33 , në Sallën Operative te numri 112 ,fillimisht është marrë njoftim për një aksident me pasojë në rrugën “Nikolla Jorgo”.
Menjëherë kanë shkuar shërbimet e qarkullimit rrugor për të kryer veprimet e para hetimore por kanë konstatuar se te lokal “Merlin Monroe”, në verandën e lokalit dyshohej të ishte plagosur me armë zjarri një shtetas i identifikuar pak minuta me vonë si shtetasi A.M 29 vjeç banues Tiranë.
Shtetasi i dëmtuar ishte dërguar për mjekim te menjëhershëm në spitalin e Traumës Tiranë.
Nga informacionet e marra në rrugë operative dyshohet se shtetasi A.M, dyshohet të ketë qënë lidhje e shtetasit E. Ç vrarë më datë 01 Maj 2016 ,person me preçedent kriminal.
Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes janë konstatuar tre gëzhoja dhe dy predha,të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave te ngjarjes me qellim identifikimin dhe kapjen e autorit /autoreve.

ATENTATI NDAJ ELTON ÇIÇOS, KONFLIKTET
Elton Çiço u ekzekutua me plumb në kokë në lokal De Niro në qendër të Tiranës, teksa ishte në shoqërinë e një oficeri policie, një gazetari dhe një mjeku. Policia nuk ka mundur të arrestojë ende të dyshuarit ndaj të cilëve ka një urdhër-arrest të lëshuar nga Gjykata e Tiranës, Jani Aliaj dhe Renato Milloshi.
Elton Çiça sipas prokurorisë dyshohet se ka qenë autori apo porositësi i disa ngjarjeve në shenjë hakmarrje për dhunimin dhe grabitjen e prindërve të tij në qytetin e Tepelenës.
Prokuroria thotë se ka zbardhur tërësisht këtë ngjarje, madje disa nga provat e krimit sipas prokurorisë janë gjetur në një automjet tip “BMW X6” që përdorte Jani Aliaj dhe në shtëpinë me qira të të dashurës së tij në Tiranë.
Zanafilla e këtyre ngjarjeve është dhunimi dhe grabitja e prindërve të Çiçës në Tepelenë më 30 mars të vitit 2015. Disa persona të maskuar kanë hyrë në banesën e prindërve të shtetasit Elton Çiça dhe pasi kanë ushtruar dhunë ndaj tyre u kanë vjedhur një sasi prej 5000 Eurosh dhe janë larguar. Gjatë hetimeve në lidhje me këtë ngjarje janë identifikuar autorët e kësaj ngjarje të cilët kanë rezultuar të jenë shtetasit Ervis Imeri, Robert Rama, Sokol dhe Arben Jella.
Pas kësaj ngjarje dyshohet se shtetasi Elton Çiça ka nisur të hakmerret ndaj personave që dhunuan dhe grabitën prindërit e tij. Më 08.06.2015, rreth orës 20:00, në lagjen nr.17/1 të qytetit të Durrësit është vrarë me armë zjarri Robert Rama. Më 12.07.2015, në automjetin e markës “Fiat”, model Cinquecento, me targa “AA 021 HD”, në përdorim të shtetasit Ervis Imeri është vendosur një sasi prej 600 gr lëndë eksplozive (tritol) e lidhur me një telefon, e gatshme për t’u shpërthyer. Aktivizimi i lëndës plasëse nuk është kryer sepse Ervisi Imeri e ka diktuar lëndën shpërthyese.
Më 07.12.2015, në Kombinat, si pasojë e shpërthimit të një lënde eksplozive është shkatërruar automjeti i markës “Ëolksvagen”, model “Golf”, me targa “AA 880 BX”, ku brenda ishte pronari, Elton Imeri, vëlla i Ervis Imerit. Si pasojë e shpërthimit Elton Ymeri është gjymtuar duke humbur një nga këmbët.
Sipas prokurorisë dyshohet që këto ngjarje të rënda kriminale e kanë pikënisjen nga ngjarja e datës 30.03.2015 e ndodhur në qytetin e Tepelenës, dhe se sipas tyre është hakmarrja e Elton Çiçës. Në vijim të hetimeve policia ka njoftuar që viktima ka pasur një konflikt serioz me shtetasin Jani Aliaj, i plagosur me thikë në një burg në Greqi nga Çiça.
Jani Aliaj është tentuar të vritet rreth një javë para vrasjes së Elton Çiços, ngjarje e ndodhur në Gjirokastër. Sipas informacionit të policisë autori i vrasjes së Elton Çiçës, ka zbritur nga një automjet Ford Focus, ngjyrë e errët, me targa të palexueshme. Në parkingun e kompleksit të pallateve te ish-Parku është konstatuar e braktisur autovetura Ford Focus me targa AA560NX, për të cilën nuk interesohet njeri.
Mjeti është në pronësi të shtetasit Renato Milloshit, person i cili ka transportuar autorin e vrasjes së Çiçës. Këto prova janë konfirmuar edhe nga analizat e AND-së së një bishti cigareje të gjetur pranë vendit të ngjarjes si dhe nga qelizat e antenave telefonike. Por pavarësisht prove, policia nuk ka mundur të gjejë ende autorët e dyshuar të vrasjes se Elton Çiçës.
(ma.ar/BalkanWeb)
